Maqedonia e Veriut ka shënuar 24 orët e fundit dhjetë viktima nga koronavirusi, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave, që nga fillimi i pandemisë në 1,004.
Vendi fqinj ia ka kaluar kështu vendeve të rajonit për nga numri i viktimave, me Shqipërinë që regjistron 518 viktima, Kosovën 688 dhe Malin e Zi 313.
Sipas raportit të Ministrisë maqedonase të Shëndetësisë, në vedin fqinj janë regjistruar 865 raste të reja me koronavirus dhe 359 të shëruar.
Nga 32,436 persona të diagnostikuar me koronavirus në Maqedoninë e Veriut, 21,090 janë shëruar ndërsa 10,342 janë aktivë.
Numri më i madh i të infektuarve është në Shkup mbi 14,000 persona, prej të cilëve rreth 4,900 janë ende raste aktive.
Ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Venko Filipçe si dhe drejtuesit e institucioneve tjera kanë ndërmarrë një fushatë në rrjetet sociale për sensibilizimin e opinionit mbi nevojën e detyrueshme për mbajtjen e maskës dhe respektimin e masave tjera mbrojtëse.
Sipas tyre, “respektimi i protokolleve dhe i masave tjera mbrojtëse, që janë në përputhje me rekomandimet e OBSH-së, mbeten alternativa e vetme për uljen e numrit të të infektuarve dhe normalizimin e gjendjes”.
Ndërkohë, pas rritjes së rasteve me COVID-19, opozita maqedonase ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe duke e akuzuar për keqmenaxhim të pandemisë.
“Ka 1,084 arsyeje që Filipçe urgjentisht të jap dorëheqje”, thuhet në reagimin e VMRO DPMNE-së, duke iu referuar shifrat të të infektuarve gjatë ditës së shtunë.
Opozita maqedonase, por edhe ajo shqiptare kërkon gjithashtu shkarkimin e anëtarët të Komisionit të Sëmundjeve Infektive dhe zgjedhjen e një komisioni të ri nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.