Karvani i akuzave ndaj ish-kryeministrit Nikolla Gruevski duket se ka marrë përpara edhe zëvendëskryeministrin shqiptar të Maqedonisë, zoti Bujar Osmanin. Ai dyshohet i përfshirë në rastin emërtuar “Pacienti”, për favorizimin ne ndarjen e mjeteve te një kompanie nga Bullgaria, për riparimin e spitaleve në Tetovë, Ohër dhe në Çair të Shkupit, kohe ne te cilën ushtronte detyrën e ministrit te shëndetësisë. Por Bujar Osmani i ka mohuar akuzat.
Akuzat erdhën ndërkohë që Prokuroria e Posaçme ne Maqedoni po heton raste te reja korrupsioni ne te cilat janë të dyshuar ish-zyrtarë të lartë qeveritarë, zyrtarë aktualë dhe politikane. Së bashku me Osmanin, nën hetim është edhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski, ish-ministri i transportit Mile Janakievski, ish-ministri i financave, Zoran Stavrevski. Osmani, një nga figurat më shquara shqiptare në Maqedonia, ka reaguar pak pas raporteve,duke mohuar akuzat.
“Këto spekulime dhe abuzime të dyshimta në Ministrinë e Shëndetësisë janë paraqitur për vite me radhe, por unë isha një nga ata që këmbëngulën për një hetim. Nëse i ndiqni shfaqjet e mia publike, kam kërkuar gjithmonë që të hapen hetimet, sepse nuk dua që këto akuza të qëndrojnë si njollë për punën time. Edhe partia ime ka kërkuar hetim për çdo zyrtar që nga viti 2002 dhe jam i kënaqur që ky hetim është hapu përfundimisht”, deklaroi Osmani.
Duke u përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në Kumanovë, zëvendëskryeministri tha se vitet e fundit ka dëgjuar lloj-lloj spekulimesh, duke shtuar se kishte kërkuar prej kohësh që prokuroria speciale të niste hetimet. "Prokuroria ka për obligim të hapë hetimet për çdo dyshim, për çdo bisedë të përgjuar. Interesi im personal ishte që hetimet të nisnin sa më shpejtë, sepse kam dy, tre vjet që dëgjoj lloj-lloj spekulimesh”, shprehet Osmani.
Nga ana tjetër partia shqiptare Aleanca për Shqiptarët kërkon nga kryeministri Zaev të shkarkojë menjëherë Bujar Osmanin. Sipas përfaqësuesve të kësaj partie qeveria nuk është e besueshme dhe shkarkimi i Osmanit e ministrave tjerë të dyshuar për korrupsion duhet të hapë rrugën për krijimin e një qeverie teknike.
Por për kryeministrin Zoran Zaev, hapja e një hetimi për Osmanin, nuk do të nxisë drejtësi. Ai është treguar i vendosur ,duke thënë se do të presë vendimin e gjykatës. "Qëndrimi im ka qenë gjithmonë i njëjtë. Askush nuk është fajtor derisa të vërtetohet e kundërta, dhe sigurisht ky është vetëm një hetim. Do ta ndjek procesin me kujdes dhe do të veproj në kohën e duhur nëse diçka lidhet me dinjitetin e Qeverisë", tha Zaev.
Shumë analistë në Shkup shprehem se shkarkimi i Osmanit dhe ministrave tjerë të dyshuar për korrupsion duhet të hapë rrugën për krijimin e një qeverie teknike që do të kishte shumicën e nevojshme për kalimin e reformat kushtetuese për zbatimin e Marrëveshjes së Prespës.
Lidhur më këtë çështje, Osmani shprehet mjaft optimist për sigurimin e shumicës prej dy të tretash. Por ai paralajmëron se mos aprovimi i ndryshimeve kushtetuese do të sillte një situatë mjaft të rrezikshme për Maqedoninë.
"Them se jemi në rrugë të drejtë. Megjithatë, ajo që është me rëndësi është se kjo shumicë prej dy të tretash nuk do të jetë e nevojshme vetëm gjatë votimit të parë, por edhe gjatë votimit të fundit, që do të jetë pas tre muajve. Ka shumë presion dhe kjo e bën edhe më të ndërlikuar procesin e ndryshimeve kushtetuese. Por nëse marrëveshja nuk kalon në Kuvend, vendi është përballë ndryshimeve të paparashikueshme dhe të rrezikshme”, deklaroi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.