Nga Gazeta Si – Manuel Neuer mbetet një ndër portierët më të mirë, pavarësisht 39 viteve… por sa gjatë mund të vazhdojë te Bayern dhe a do të kthehet me Gjermaninë?
Neuer ka mbrojtur portën teksa Bayern ka vrapuar drejt majës së Bundesligës këtë sezon, si edhe në vendet e sipërme të “UEFA Champions League”.
Ai mbetet një nga portierët më të mirë në Botë, edhe pse është vetëm disa muaj larg ditëlindjes së tij të 40-të.
Portieri dhe Kapiteni i Bayern-it vjen në intervistën e mëposhtme ku jep mendimet e tij mbi sezonin e deritanishëm dhe nëse mund të fitojë titullin e 13-të përpara kthimit për Kupën e fundit të Botës në Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara verën e ardhshme…

- Manuel, në moshën 39-vjeçare po luan ende në nivelin më të lartë. Si ia del trupi yt? Si qëndron në formë?
Neuer: “Nuk jam i ri në këtë punë dhe e di çfarë duhet të bëj. Të jesh atlet profesionist nuk ka të bëjë vetëm me stërvitjen, por me të gjithë ambientin përreth, përfshirë rikuperimin, gjumin dhe të ushqyerit shëndetshëm. Nëse e ke bërë për kaq gjatë, e di çfarë i bën mirë trupit. Kjo është jeta ime dhe përpiqem të jem gjithmonë në formë. Është një pasion i brendshëm dhe një motivim, që përfshin edhe dëshirën për të qenë aty për skuadrën dhe për të bërë paraqitje të mira për ekipin dhe për veten. Sapo firmos një kontratë te Bayern, e di se çfarë përgjegjësie mbart dhe dëshiron të mos i ikësh asaj përgjegjësie.”
- Sipas raporteve, ti dhe Bayern po konsideroni një zgjatje tjetër kontrate. Ke ndonjë ide sa gjatë dëshiron të qëndrosh?
Neuer: “Nuk po vendos objektiva. Siç thashë, jetoj me të tashmen dhe nuk mendoj shumë për këtë gjë. Dua ta mbyllim bukur këtë pjesë të sezonit dhe në Janar fillojmë përsëri. Do të luajmë deri në Mars, deri në pushimin e parë ndërkombëtar, dhe pastaj do të shohim. Nuk mund të përgjigjem tani sepse as vetë nuk e di. Shumë gjëra duhet të jenë në rregull: trupi im duhet të jetë në një nivel që më kënaq dhe ku mund të performoj. Sigurisht, edhe klubi ka rol në këtë vendim, kështu që do të duhet të ulemi dhe të marrim një vendim në një moment.”
- Mbrojtja e Bayernit duket shumë e qëndrueshme këtë sezon. Si është të luash pas Dayot Upamecano-s dhe Jonathan Tah?
Neuer: “Shumë mirë, duhet ta them. Ata e kuptojnë njëri-tjetrin shumë mirë dhe më kuptojnë edhe mua si portier. Të dy marrin rol lideri dhe janë vendosur shumë mirë. Filluan të luanin bashkë në Kupën e Botës për Klube dhe që atëherë janë përmirësuar vazhdimisht. Janë dy lojtarë që i shkojnë perfekt Bayernit dhe mund të jenë model për të ardhmen.”

- Sa ndikim ke te udhëheqja e skuadrës nga prapa?
Neuer: “Të gjithë i besojmë njëri-tjetrit dhe komunikojmë shumë. Përpiqem të jem vija e fundit e mbrojtjes për ekipin dhe qendrën e mbrojtjes. E vlerësojmë njëri-tjetrin dhe dimë ta tregojmë këtë.”
- Ke kontribuar për disa gjenerata te Bayern. Çfarë e bën këtë skuadër të veçantë?
Neuer: “Është shumë e mirë dhe ndihet sikur po rikthejmë dy lojtarë të rinj – Jamal Musiala dhe Alphonso Davies. Jemi në formë të mirë, kemi bërë një gjysmë sezoni të fortë sepse u nisëm me vrull nga vera. Jemi në rrugë të mbarë, por duhet të fitojmë ndeshjet deri në Krishtlindje që të jetë një gjysmë sezoni pothuajse perfekt.”
- Sa të lumtur jeni që Musiala, i cili sjell cilësi të jashtëzakonshme, më fund po kthehet?
Neuer: “Jemi shumë të lumtur. Ai ka qenë pranë ekipit edhe gjatë rehabilitimit. S’do të rrijë vetëm, por do të jetë me skuadrën. E ndjen si lojtar dhe si Kapiten. E njëjta gjë vlen edhe për Davies. Të dy janë në rrugën e rikthimit të plotë.”
- Çfarë mund të arrijë Bayern në Evropë këtë vit?

Neuer: “Po luajmë vetëm në një kompeticion ndërkombëtar dhe duam të shkojmë sa më larg. E dimë që rruga është e gjatë dhe e vështirë, por mendoj se njerëzit tashmë e kanë vënë re ritmin tonë në Champions League.”
- Trajneri Vincent Kompany ka krijuar një atmosferë mbresëlënëse. Cili është mendimi yt për të?
Neuer: “Ai e njeh lojën me mediat sepse ka qenë vetë lojtar në nivel të lartë dhe ka përvojë si trajner. Është shumë i hapur dhe i qartë me ne. E di si duam të luajmë dhe sjell në lojë pikat tona të forta. Integron lojtarë të rinj dhe gjithçka funksionon mirë.”
- Si do ta përshkruaje stilin e tij drejtues?
Neuer: “Është shumë i vlerësuar nga lojtarët sepse e dimë nivelin ku ka luajtur. Nuk lë asgjë rastësore, është i qartë, i sigurt dhe dominues. Ka gjithmonë qëllimin t’i japë skuadrës sukses pas suksesi, por është edhe i hapur ndaj diskutimeve dhe sugjerimeve.”

- Ke luajtur 534 ndeshje në Bundesliga. Oliver Kahn ka rekordin me 557. Të tundon kjo?
Neuer: “Nuk e bazoj karrierën time te rekordet. Dua të jem i suksesshëm me skuadrën. Oliver Kahn është legjendë absolute. Unë përqendrohem te vetja, shëndeti dhe loja, për sa kohë që argëtohem.”
- Thuhet se kundërshtarët kanë respekt të madh për ty, sidomos në duelet 1-vs-1. A je i vetëdijshëm dhe a e shfrytëzon këtë?
Neuer: “E vërej me lojtarët e rinj që vijnë te Bayern. Por në ndeshje është ndryshe, lojtarët duhet të provojnë të më mposhtin. Unë përpiqem të përdor përvojën për t’i vënë nën presion që të marrin vendimin e gabuar.”
- Ka mbetur dicka në fund të sezonit – Kupa e Botës. Shumë zëra thonë se mund të rikthehesh te Gjermania si Toni Kroos në 2022. Mund të ndodhë një rikthim në 2026?
Neuer: “Nuk e di. Për momentin asgjë s’ka ndryshuar. Dua të përqendrohem te klubi, jo te Kupa e Botës. Kemi shumë për të arritur me Bayern-in dhe kjo është e gjitha që kam në mendje tani.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



