Edhe në kohë aktiviteti, manovrat e merkatos nuk rreshtin kurrë. Klubet e mëdha janë duke punuar që tani për sesionin dimëror të merkatos, për të bërë korrigjimet e duhura në grupin e futbollistëve. Dhe në vëmendje janë sidomos ata futbollistë, që janë në prag të skadencës së kontratës.
Te Milani ka një çështje te hapur me mesfushorin Frenk Kesi, i cili duket se po joshet nga PSG. Një situatë që i ka bërë drejtuesit kuqezi të shohin edhe për zëvendësuesit e mundshëm, një prej të cilëve është edhe kroati i Interit, Marselo Brozoviç. Për këtë futbollist Milani po studion terrenin, duke qenë se atij i përfundon kontrata me Interin në qershor të 2022-shit, pra në fund të këtij sezoni.

Sipas “Corriere dello Sport”, klubi kuqezi javët e fundit ka pasur kontakte me njerëzit pranë mesfushorit kroat. Javën e ardhshme, Marota dhe Auzilio do të takojnë babanë e futbollistit për rinovimin dhe Milani po ndjek me kujdes situatën, në pritje edhe të vendimit të Kesi.
Edhe Mançester Junajtid po kërkon një mesfushor me kualitet dhe ka vënë në shënjestër spanjollin e Napolit, Fabian Ruiz. Lajmi bëhet i ditur nga shtypi sportiv spanjoll. Mesfushori i Napolit, sipas drejtuesve të “Djajve të kuq”, mund të jetë zëvendësuesi i denjë i Pol Pogba, në rast se francezi vendos të largohet në fund të kontratës, që i skadon në 2022-shin. Me interes priten edhe blerjet që do të bëjë Njukasëlli, ekipi anglez që sapo është blerë nga një fond arab dhe do të hedhë milionë euro për përforcime.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




