Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Komisionit të ligjeve Ulsi Manja prezantoi raportin e PS për kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut.
Gjatë fjalës së tij, Manja tha se raporti është hartuar me dakordësi dhe tha se politika duhet ndarë nga drejtësia.
Referuar faktit që Balluku nuk është më as zv.kryeministre dhe as ministre, Manja tha se ndodhemi para një realiteti të ri institucional.
“Masa nuk prodhon më asnjë pasojë juridike reale, por edhe narrativa mbi të cilën SPAK-u ka ndërtuar kërkesën, mbetet thelbësisht hipotetike, për sa kohë lidhet drejtpërdrejt me ushtrimin e funksioneve ekzekutive që deputetja në fjalë nuk i ushtron më. Është detyrim ndaj qytetarëve të dalim me këtë raport, për një çështje që është shndërruar në mënyrë të padrejtë në debat të mbingarkuar politikisht. Në vend të një procesi të qetë e të rregullt ligjor, e kemi parë si gjyq publik. Pikërisht, për këtë arsye është e domosdoshme që ne si shumicë të flasim qartë”, deklaroi Manja.
Manja sqaroi se Kuvendit i është kërkuar të autorizojë zëvendësimin e një mase sigurimi ekzistuese me një më të rëndë.
“Kërkesa e SPAK në fakt në rastin e Belinda Ballukut, ndryshon nga kërkesat e tjera që kanë ardhur në Kuvend për marrjen e autorizimit për arrestimin e të tjera sepse nuk është kërkesë për caktimin e një mase sigurie.
Kuvendit i kërkohet të zëvendësojë një masë sigurimi personal, efektet që sot janë në fuqi ndaj Ballukut, siç është e daljes jashtë, siç është një masë më e rëndë, ajo e arrestit, për një vepër penale që SPAK po heton që në gushtin e vitin 2024.
Zëvendësimi i masës, mund të kërkohet në 2 raste. Kur janë rënduar nevojat e masës së sigurimit, ose personi që i është caktuar masa, nuk e ka respektuar. Rasti i dytë përjashtohet. Balluku siç provohet nga relacioni i SPAK dhe arsyetimi i fakteve dhe provave, provohet që e ka respektuar në mënyrë korrekte.
Në vlerësimin tonë ngelet vetëm rëndimi i masave të sigurimit për ato shkaqe që ka listuar SPAK, që ka të bëjë me shtimin e episodeve, rrezikun e prishjeve të provave, ikjes apo kryerjen e një vepre penale me të rëndë”, tha Manja.
Duke cituar një nga dispozitat kushtetuese që nuk lejon masë shtrënguese për një deputet, pa dhënë verdiktin Kuvendi për heqjen e imunitetit, Manja u shpreh se Kuvendi nuk gjykon fajësinë.
“Duhet të paraqesë një realacion të arsyesutar dhe me provat që e mbështesin kërkesën. Kompetenca e Kuvendit, është e natyrës procedurialo-kushtetuese. Kuvendi nuk gjykon fajësinë apo themelinë e provave, këto i përkasin gjykatës kompetente”, tha ai.
Ai tha se hetimet ndaj Ballukut nisën pas dy kallëzimeve, një në 2024 nga Lulzim Basha, dhe një në 2025 nga Gazment Bardhi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje