Politike

Manja: 15 mijë persona do të përfitojnë kompensim financiar për legalizimet

Gazeta Si – Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka njoftuar se deri të enjten do të disbursohen 30 milionë euro për 5,200 dosje të ish-pronarëve, duke i mundësuar atyre kompensim në vlerë dhe sipërfaqe prone, ku mes tyre figurojnë edhe komunitetet fetare.

Ky proces do të finalizohet në kuadër të kompensimit të ish-pronarëve, i cili ka nisur këtë javë, me përfitues të 15 mijë individëve që janë përllogaritur nga Agjencia e Trajtimit të Pronave.

Manja theksoi se kompensimi do të bëhet sipas masës së përllogaritur, duke përfshirë edhe komunitetet fetare ndër ata që kanë aplikuar për kompensim.

Pjesa më e madhe e dosjeve që përfitojnë këtë masë janë të përzgjedhura nga viti 2010 deri në vitin 2024, dhe përfshijnë ata që kanë patur pasuri të zëna nga ndërtimet publike ose ndërtimet informale.

Përmes një konference për shtyp, ai tha se ish-pronarët do të kompensohen jo vetëm financiarisht, por edhe me sipërfaqe toke.

“Vlera u llogarit nga Agjencia e Trajtimit të Pronave. Ligji i ri solli si risi jo vetëm kompensimin financiar, por edhe kompensim fizik në sipërfaqe prone. Janë dy shtylla ish-pronarësh, ata që kompensohen në vlerë dhe sipërfaqe toke dhe ish-pronarë prona e të cilave është zënë për shkak të ndërtimeve informale. Deri tani janë kompensuar 869 subjekte, në një vlerë 84 mln Euro në total, nga ku 763 hektarë tokë si kompensim fizik në total. Ky proces do vazhdojë sepse mbi 19 mijë vendime janë në proces kompensimi financiar dhe fizik”.

Ai shtoi se pjesë e këtij përfitimi janë edhe komunitetet fetare. “Procesi do të finalizohet deri të enjten”, theksoi ministri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë