Politike

Mandati i Olta Xhaçkës, PD kërkon seancë të jashtëzakonshme në Kuvend: Të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese

Gazeta Si – Grupi parlamentar i PD i ka bërë thirrje Kuvendit për një seancë të jashtëzakonshme, për sa i përket mandatit të deputetes së PS, Olta Xhaçka.

Kërkesa, drejtuar kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali, mban firmën e 29 deputetëve demokratë, të cilët theksojnë se “është e papranueshme mbrojtja politike dhe pengimi ndaj drejtësisë që mazhoranca po bën për rastin e ish-ministres dhe deputetes Olta Xhaçka, duke injoruar Kushtetutën dhe duke penguar zbatimin e dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”.

“Ne dënojmë me forcë standardin ‘një drejtësi për Edi Ramën dhe një drejtësi tjetër për gjithë të tjerët’. Në çdo vend demokratik zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është i detyrueshëm dhe themeli mbi të cilin ngrihet një shtet ligjor”, thuhet në letrën e deputetëve të opozitës drejtuar Kryetares së Kuvendit.

PD pretendon se bashkëshorti i Xhaçkës, Artan Gaçi është favorizuar si “investitor strategjik për ndërtimin e një resorti në Dhërmi në fillim të vitit 2022.”

Ish-deputeti socialist Artan Gaçi u shpall investitor strategjik, dhe me vendim qeverie iu dha e drejta e përdorimit të brigjeve në Dhërmi, PD kërkoi heqjen e mandatit të Olta Xhaçkës me argumentin se ka konflikt interesi.

Socialistët e rrëzuan këtë kërkesë, duke detyruar një pjesë të grupit të PD t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Kjo e fundit e pranoi kërkesën duke rikthyer çështjen në Kuvend.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë