Politike

Mandati i Olta Xhaçkës, Gjykata Kushtetuese shqyrton padinë e PD-së. Bardhi: 2 vjet bllokim

Gjykata Kushtetuese po shqyrton sot padinë e Partisë Demokratike për mandatin e deputetes së Partisë Socialiste, Olta Xhaçka.

Në fillim të seancës, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj bëri të ditur se më datën 24 prill 2024 një grup prej 44 deputetësh të Kuvendit iu drejtuan Gjykatës për të kundërshtuar vendimin e Kuvendit “Për mosdërgimin e Mocionit në Gjykatën Kushtetuese” dhe deklarimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të këtij vendimi.

“Kërkohet zgjidhja e konfliktit të kompetencave ndërmjet Kuvendit të Shqipërisë dhe subjektit kushtetues në konflikt, jo më pak se 1/10 e deputetëve, duke përcaktuar mënyrën kushtetuese konkrete sesi zgjidhet ky konflikt dhe sesi ushtrohet e drejta kushtetuese e pakicës parlamentare (një të dhjetës së deputetëve) për të mos u penguar mocioni i tyre nga Kuvendi në kushtet e mosverifikimit të pengesave formale, në kushtet ku mazhoranca me votim ka vendosur moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe kjo mund të ripërsëritet në të ardhmen”, u shpreh Zaçaj.

Në parashtrimin e tij, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi u shpreh se i takonte Gjykatës Kushtetuese të vendoste për të mbrojtur autoritetin dhe dinjitetin e saj.

Bardhi kujtoi se rreth dy vite më parë grupi parlamentra i PD-së depozitoi në Kuvend kërkesën për të shqyrtuar papajtueshmërinë e mandatit të Xhaçkës.

“Pas zvarritjes, për herë të parë një vendim i marrë nga Gjykata Kushtetuese është sfiduar nga Kuvendi përmes shpalljes së vetes sovran ndaj vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Mandati i Xhaçkës tashmë edhe pak edhe mbaron vetë”, u shpreh Bardhi.

Bardhi u shpreh se “ishim të dyzuar nëse duhet të vinim në Gjykata Kushtetuese apo t’i lëmë turpin e kësaj çështjeje mazhorancës”.

“Sfida ndaj autoritetit dhe dinjitetit të Gjykatës Kushtetuese nuk është çështje vetëm dinjiteti por e çdo ligjvënësi betuar në Kushtetutë. Është në dorën tuaj nëse do të duhej të mbroni autoritetin dhe dinjitetin e kësaj godine. Ne si deputetë të pakicës kemi bërë detyrën tonë, e sollëm në Gjykatë Kushtetuese. Në momentin që Gjykata Kushtetuese na jep të drejtë dhe Kuvendi thotë se pavarësisht se ju ka dhënë të drejtë Gjykata Kushtetuese e Kushtetuta ne vendosim t’ju injorojmë këtu është cenuar stabiliteti, mundësia për bashkëjetesë sipas rregullave që përcakton Kushtetuta dhe paqja sociale”, u shpreh Bardhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë