Drejtësia

Mandati i Holta Zaçajt / Gjykata e Lartë shpall listën me 13 kandidatë në garë për kreun e Gjykatës Kushtetuese

Gazeta Si – Gjykata e Lartë ka shpallur listën me 13 kandidatët që do të garojnë për plotësimin e vakancës në Gjykatën Kushtetuese, me mbarimin e mandatit të kryetares, Holta Zaçaj.

Në një njoftim shpërndarë mediave, Gjykata e Lartë shpalli listën e kandidatëve që shfaqën interes për plotësimin e vakancës, pas përfundimit të afatit 30 ditor të pranimit të kërkesave.

Lista është publikuar nga Gjykata e Lartë, e cila hapi procedurën e aplikimit më 11 dhjetor të vitit të kaluar.

Mes emrave që kanë shprehur interes janë ish kreu i KQZ, Denar Biba, Naureda Llagami
Nurihan Meta etj.

Gjykata thotë se “lista publikohet me qëllim që institucionet publike që kanë lidhje me sistemin e drejtësisë, organizata të shoqërisë civile me veprimtari në mbrojtjen e të drejtave të njeriut ose të krijuara për mbrojtjen e interesave të përdoruesve të sistemit të drejtësisë, të mund të paraqesin opinionet e tyre në lidhje me kandidaturat pranë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi”.

Sipas ligjeve në fuqi, lista me kandidatë i është dërguar Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për vlerësimin e kushteve dhe kritereve të emërimit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese nga Gjykata e Lartë.

Për këtë arsye, kryetari i KED, Sokol Sadushi ka thirrur një mbledhje të KED më 15 Janar ku në rendin e ditës do të jetë edhe kjo çështje.

Gjykata Kushtetuese vendosi në dhjetor të vitit të kaluar mbarimin e mandatit të kryetares Zaçaj. Ky vendim i dha fund ngërçit ligjor mes këtij institucioni dhe Gjykatës së Lartë, e cila kishte hapur garën për zëvendësimin e saj.

Pas përfundimit të afatit 30 ditor të pranimit të kërkesave, kandidatët që kanë paraqitur interes për plotësimin e vakancës janë:

1.Alban Toro

2.Alma Faskaj

3.Asim Vokshi

4.Denar Biba

5.Florjan Ballhysa

6.Genta Tafa

7.Irena Nino

8.Klodian Rado

9.Lulzim Hamitaj

10.Naureda Llagami

11.Nurihan Meta

12.Rezana Balla

13.Sinan Tafaj


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë