Politike

Mandati i deputetit të PS / Sinaj kërkon kohë, Bardhi: Ke përfituar nga lekët e shtetit, sa u zgjodhe, i shtove nga 3 në 25 kompani   

Deputeti i PS-së, Vullnet Sinaj, ndaj të cilit PD-ja ka kërkuar t’i hiqet mandati, ka kërkuar kohë teksa mocioni po diskutohej në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, duke çuar për pasojë në shtyrjen e mbledhjes.

 “Me gjithë këto informacione që keni, duan kohën e vetë që të shqyrtohen nga avokatët. Kërkojmë kohë që të lexojmë një për një faqet. Të kërkojmë prova dhe kam nevojë të marrë kohë, për të sjellë të dhënat e mia për akuzat e kolegut”, tha Sinaj.

Më herët, Sinaj pati një përplasje me Gazment Bardhin i cili më herët ka depozituar një dosje mbi arsyet se pse Sinaj është në konflikt interesi duke përfituar nga fondet e shtetit.

“Deputeti Sinaj ka në pronësi disa kompani që kanë përfituar të ardhura nga buxheti i shtetit

Transaksioni verifikohet nga buxheti i shtetit dhe Ministria e Financave. Po të mbledhim shumat monetare kredituar në kompanitë e deputetit, Sinaj ka marrë një total prej gati 37 milionë lekësh. Çështja duhet të shkojë në Gjykatën Kushtetuese për papajtueshmëri të mandatit”, tha Bardhi.

“Nuk jam bërë biznesmen kur jam futur në politikë. Rrogën time e kam dhënë donacion për njerëzit në nevojë. 100 milion lekë kam dhënë për tërmetin. Si nuk e gjete këtë në buxhet të shtetit? Bizneset e mia mbajnë me punë 2500 punonjës me siguracione private...Unë kam dhuruar dhe prisja që sot të më falënderonit”, replikoi Sinaj.

“Po e kalon si shumë debat personal, kjo është çështje ligjore. Se po të jetë për politik, jeni i vetmi që dilni në raportin e Transparency International,  i vetmi që ju del emri, si përfituat para. Kompanitë tuaja ishin në prag falimenti, u bëtë deputet, nga tre, kompanitë tuaja shkuan në 25. Meqë besoni te drejtësia, s’ka nevojë të bëni numra. Kam dhuruar atë kam dhuruar këtë”, reagoi Bardhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë