Politike

Mandatet e opozitës, KQZ letër 12 kandidatëve

Pavarësisht refuzimit për marrjen e mandateve të deputetëve nga një pjesë të kandidatëve të opozitës, kryesisht nga ana e Partisë Demokratike, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vijon t’i dërgojë thirrje kandidatëve të tjerë të listës së deputetëve në 12 qarqet e Shqipërisë për plotësimin e vakancave.
Pas vendimeve të marra në mbledhjen e 20 marsit, për moszgjidhshmërinë për mandatet e 20 kandidatëve për deputetë, KQZ-ja ka bërë thirrje 12 emrave të tjerë në listat shumemërore.
“Përpara plotësimit të vakancës, kandidati i listës shumemërore duhet të depozitojë në KQZ, brenda 10 ditë formularin e vetëdeklarimit për garantimin e integritetit të kandidatit”, thuhet në letrën e KQZ drejtuar kandidatëve.
Gjithashtu theksohet se në rast se subjekti nuk depoziton formularin vetëdeklarimit brenda afatit të sipërcituar, konsiderohet se refuzon propozimin e organit kompetent për kandidim, zgjedhje apo emërim dhe KQZ shpall faktin e mos zgjedhshmërisë.

Në listën e publikuar nga KQZ rezultojnë emrat e Enkelejda Sallakut, kandidates së PD-së në Qarkun e Durrësit që zëvendëson mandatin e Grida Dumës, të Besmira Petriti për mandatin e Albana Vokshit në Tiranë; të Fitimtar Zekthit që zëvendëson Endi Hasën e PD-së në Elbasan; të Ana Kadillarit që zëvendëson mandatin e Jorida Tabakut të PD-së në Tiranë; të Agron Qokut zëvendëson mandatin e Dhurata Çupit të PD-së në qarkun Dibër; të Gjokë Uldedajt që merr mandatin e Bardh Spahisë në Shkodër; të Helinda Savës që merr mandatin e Fatbardha Kadiut të PD-së për Durrësin.

Në listën e kandidatë për depozituar formularin e Dekriminalizimit është edhe Marta Mala që merr mandatin e Ervin Salianjit të PD-së në qarkun e Korçës; Martin Bibës për mandatin e Andon Frrokajt të PD-së në qarkun e Lezhës, si dhe të Zana Prelës që merr mandatin e kryerepublikanit Fatmir Mediu, për listën e PD-së për qarkun e Tiranës.

Këto 10 emra i përkasin PD-së, ndërsa dy të tjerët janë nga listat shumemërore e LSI-së, ku Klevi Pojanës i kërkohet të marrë mandatin e Klajda Gjoshës për qarkun e Tiranës, si dhe Llambriola Misto për mandatin e Nasip Naços në qarkun e Beratit.

Një pjese të kandidatëve, KQZ i ka dërguar letër më 11 mars, e kjo tregon se janë në prag të skadimit të “ultimatumit” për dorëzimin e formularit të Dekriminalizimit. Gazeta Si mëson se kandidatëve Qoku, Zekthi i është dërguar shkresa më 18 mars, ndërsa kandidatëve të tjerë më 12 dhe 11 mars.

Dy ditë më parë KQZ i dha mandatin e deputetit për Ralf Gjonin, Nimet Musai dhe Enaida Koçiraj të LSI-së. Ndërsa tre të tjerë kanë pranuar të marrin mandatin e deputetit Adriatik Alimadhi, kreu i PBK-së, i renditur i gjashti në listën e PD-së së Vlorës; Amra Borova e LSI-së për qarkun e Shkodrës, si dhe Arben Elezi kandidat për deputet në qarkun e Elbasanit.
Deri më tani kanë pranuar 14 kandidatë për marrjen e mandatit të deputetit. Ndërsa me pranimin e tre të tjerëve, numri i deputetëve në Parlament të shkojë në 100, nga 140 që institucion ka gjithsej.

Emrat e kandidatëve zëvendësues
Fitimtar Zekthi- Elbasan- PD
Agron Qoku- Dibër- PD
Ana Kadillari- Tiranë-PD
Besmira Petriti- Tiranë-PD
Enkelejda Sallaku-Durrës-PD
Gjok Uldedaj- Shkodër- PD
Henelida Sava- Durrësi- PD
Klevi Pojana-Tiranë-LSI
Llambriola Misto- Berat-LSI
Marta Male- Korçë-PD
Martin Biba- PD-Lezhë
Zana Prela-PD-Tiranë


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë