Politike

Mandatet e deputetëve, “loja” mes Kuvendit dhe KQZ-së

Bledar Hoti – Dorëzimi i mandatit të deputetëve të opozitës shkaktoi një përplasje mes Kuvendit dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Dokumentet e dorëzuara nga ana e Kuvendit nëpërmjet sekretarit të Përgjithshëm, Genc Gjonçaj, duke mos përcaktuar krijimin e vakancës së krijuar në organin legjislativ bëri që KQZ-ja t’i drejtohej menjëherë me anë të letre Kuvendit për të përcaktuar vakancën e krijuar, pasi në mënyrën e paraqitjes së shkresave për të 56 deputetët e opozitës nuk mund të vinte në lëvizje KQZ për marrjen e vendimeve.
KQZ në shkresën e dërguar shprehej se ishte vepruar ndryshe nga herët e tjera dhe se për këtë kishte përdorur si precedent rastin që ishte përdorur për ish-deputetin Saimir Tahiri.
Pikërisht kjo mungesë për të vënë në lëvizje KQZ-në, detyroi Kuvendin që të rishikonte praktikën e mëparshme nga ana teknike, duke e vendosur që në krye të letrës kërkesën për zëvendësim të mandateve të deputetëve për shkak të vakanës së krijuar.
Gazeta “Si” disponon dokumentin e ri të cilin Kuvendi do t’i dërgoj KQZ-së për kryerjen e zëvendësimit të mandatit të deputetëve për shkak të vakancës së krijuar. Pas kësaj procedure të re mendohet që KQZ-ja të marrë vendimet përkatëse për çdo deputet.

Vakancat, debati për shkresat
Shkresa për dorëzimin e mandateve të 56 deputetëve të opozitës dërguar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndryshe nga herët e tjera nuk ka njoftuar krijimin e vakancës po cilësohet si një taktikë nga ana e Parlamentit për të ndikuar në mosdhënien në kohë të vendimit, duke e zgjatur atë pa fund. Kjo taktikë shihet si një mundësi për të bindur opozitën, mbase edhe nëpërmjet faktorit ndërkombëtar për t’u tërhequr nga vendimi ekstrem.
“Me deklaratën nr.711, prot, datë 21.02.2019, zoti Sali Berisha, deputeti i Kuvendit të Shqipërisë ka paraqitur dorëheqjen nga mandati i deputetit. Në zbatim të nenit 164 të ligjit, nr.10.019, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, Ju përcjellim për kompetencë dokumentacionin përkatës”, thuhet në shkresën e firmosur nga sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Genci Gjonçaj.

Pikërisht ky është një formulim i ndryshëm nga herët e tjera ku nuk përcaktohet se është konstatuar krijimi i vakancës në Kuvend.

Kështu në shkresën që disponon Gazeta “Si” që Kuvendi ia ka dorëzuar KQZ-së për çështjen e dorëzimit të mandatit të Saimir Tahirit përcaktohet qartë që në titull, njoftimi për krijimin e vakancës në Parlament.

“Deputeti Saimir Tahiri ka depozituar në Kuvend dorëzimin e mandatit të deputetit. Në mbështetje të nenit 71, pika 2 gërma b) të Kushtetutës mandati i tij si deputet ka mbaruar. Bazuar në nenin 164, “Kodit Zgjedhor” dhe afatet e parashikuara në të, Kuvendi i njofton KQZ krijimin e vakancës për shkak të përfundimit të parakohshëm të mandatit të deputetit Tahiri, deputet i pavarur, por në listën shumemërore të PS, qarku Tiranë, për të vijuar procedurat e zëvendësimit të tijë me deputetin e radhës sipas listës”, thuhet në shkresën e Gjonçajt, e datës 7 maj 2018.

Dokumenti i Kuvendit ku njoftohet KQZ për krijimin e vakancës së krijuar me dorëzimin e mandatit të deputetit nga ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri

Mbi bazën kësaj procedure KQZ-ja ka marrë vendimin për dhënien e mandatit për Spartak Brahon. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e ditës së sotme shqyrtoi projektvendimin: “Për dhënien e mandatit të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë kandidatit të listës shumemërore të Partisë Socialiste, Qarku Tiranë, për plotësimin e vakancës së njoftuar nga Kuvendi i Shqipërisë, pas heqjes dorë nga mandati i deputetit z. Saimir Tahiri”. KQZ vendosi t’i japë mandatin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, kandidatit të listës shumemërore të Partisë Socialiste, Qarku Tiranë, z. Spartak Braho”, thuhej në njoftimin e KQZ të datës 11 maj.
Pikërisht nisur nga ky ndryshim i shkresave, burime zyrtare nga ana e Kuvendit deklaruan për Gazeta “Si” se shkresa për dorëzimin e mandateve të 56 deputetëve të opozitës është e njëjta gjë si praktike administrative, pra ku njoftohet KQZ për dorëheqjen e mandatit të deputetit, duke i kërkuar zbatimin e nenit 164 të Kodit Zgjedhor. Pra thelbi sipas tyre nuk ndryshon.
“Mandati i deputetit, i fituar sipas neneve 162 dhe 163 të këtij Kodi, ndërpritet vetëm për shkaqet e parashikuara në nenin 71 të Kushtetutës. Nuk përbëjnë shkak për ndërprerje të mandatit marrëveshjet apo deklaratat paraprake individuale apo kolektive për heqje dorë nga mandati. Në rastin e shkronjave “a” dhe “b” të pikës 2 të nenit 71 të Kushtetutës, deputeti deklaron në mënyrë publike përpara komisionit përkatës të Kuvendi refuzimin për të bërë betimin ose heqjen dorë nga mandati. Në këtë rast Kuvendi, jo më vonë se 30 ditë, njofton KQZ-në për krijimin e vakancës”, thuhet në pikën 1 të nenit 164. Pra mbi bazën e këtij përcaktimi KQZ-ja duhet të vihet në dijeni për vakancën e krijuar, gjë që mungon në shkresën e dërguar nga Parlamenti.

Alibeaj: Kuvendi duhet të njoftojë vakancën
Në lidhje me këtë çështje, Gazeta “Si” kontaktoi me deputetin e PD-së, Enkelejd Alibeaj, i cili është edhe anëtar i Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Sipas tij, Kuvendi ka pasur për detyrë që të deklarojë shpalljen e vakancës dhe t’ia deklarojë KQZ-së një çështje të tillë. “Normalisht, ai duhet ta thotë këtë, është krijuar vakanca. Sipas kësaj shkrese që po më thoni ju, i bie që nuk mjafton që ta japë dorëheqjen deputeti, por i bie që duhet ta verifikojë dhe ta konstatojë vetë KQZ-ja vakancën e krijuar”, deklaroi Alibeaj.
Ndërsa sa i përket çështjes nëse duhej ishte mbledhur Këshilli për Rregulloren, Mandatet e Imunitetit për dorëheqjet e deklaruara nga ana e 56 deputetëve të opozitës, Alibeaj thekson se nuk është e nevojshme një gjë e tillë.

Enkelejd Alibeaj


“Dorëheqja nuk ka nevojë për konfirmim. Si traditë është që nuk mblidhet në këtë rast. Mblidhet vetëm në rastin kur vjen ai që zëvendëson”, thekson ish-ministri i Drejtësisë.
A rezulton nga ballafaqimi i dy shkresave se mazhoranca po përdor si një taktikë të sajën për të zgjatur në kohë procedurën e djegies së mandateve për deputetët e opozitës? Këtë vetëm ditët në vijim do ta tregojnë.

Ndërsa mësohet sipas burimeve, se anëtarët e PS-së në KQZ kanë zhvilluar një mbledhje në Kryeministri të premten për të diskutuar në lidhje me çështjen e dorëzimit të mandateve të deputetëve të opozitës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë