Nga Gazeta Si – 3 muaj pas skandalit të mandarinave me pesticide, Ministria e Bujqësisë e thellon më tej këtë skandal, duke na treguar se gënjeu kur deklaroi se mandarinat janë asgjësuar dhe po gënjen përsëri duke na dhënë siguri se 10 ton mandarina me pesticide janë asgjësuar dhe 11 ton të tjera nuk janë konsumuar nga njerëzit.
Ndërkohë, pas hetimit të Prokurorisë, del në pah se mandarinat me pesticide jo vetëm që nuk janë asgjësuar siç u tha por edhe se kanë dalë në treg, plot 21 tonët e kthyer nga Kroacia, bashkë me 11 ton që Ministria nuk e di se ku janë, por na e jep të sigurt se nuk janë konsumuar.

Ndërkohë që Prokuroria tha se në treg u hodhën mbi 21 tonë manderina me pesticide, zv ministri i Bujqësisë Arjan Jaupllari deklaroi se janë asgjësuar vetëm 10 tonë të tilla porse deklaroi se jep siguri, që 11 tonët e tjerë nuk janë konsumuar nga qytetarët.
Por në fakt, ai refuzoi të tregonte se ku janë 11 tonë të tjerë me manderina. Ky vakum informacioni nga Ministria e Bujqësisë e cila një nga funksionet e saj prioritare ka shëndetin e konsumatorit, ngre një sërë shqetësimesh mbi kryerjen e detyrave të saj.
Hallka e mbrojtjes së konsumatorit dështon që në gjenezë, ku punonjësi i DRVMB Berat E.T., mjaftohet me plotësimin e certifikatës fito sanitare (sipas dëshirës) nga ana e fermerit dhe Ministria nuk kryen punën e saj si kontrolluese e sigurisë ushqimore.
Nga hetimet rezultoi se procedura e kthimit të produktit të pasigurt, është bërë pa dijeninë e AKU dhe fermeri E.T. tha se ka asgjësuar produktin e kthyer nga operatori i biznesit ushqimor në një vend të paidentifikuar. Vetë fermeri pretendoi se e kishte hedhur mallin në landfillin e Bashkisë Dimal ku ndërkohë nga këqyrja rezultoi se nuk kishte asnjë mbetje produkti.
Gjithashtu në deklarimin e dhënë në AKU sipas procesverbalit të konstatimit rezulton të ketë deklaruar se e ka hedhur mallin në kanale të rastësishme.

Por dhe pas deklaratave kontradiktore të fermerit, Ministria e Bujqësisë nxitoi të siguronte njerëzit se mandarinat e rrezikshme janë asgjësuar.
Madje, në dhjetor edhe deklaroi se AKU ka marrë masa të menjëhershme për gjurmueshmërinë dhe veprimet proceduriale mbi subjektet eksportues duke marrë masa dhe veprime konkrete për të asgjësuar rreth 20 kg Mandarina.
“Procedura e asgjësimit është kryer së bashku me praninë e Autoritetit Kombëtar të Mjedisit, Drejtorinë e Tatimeve, si dhe me praninë e disa mediave të ndryshme”, deklaroi asokohe Ministria e Bujqësisë.
Ministria e Bujqësisë nuk ka vetëm për funksion nxitjen e bujqësisë në vend, por gjithashtu, ka për detyrë të ndjekë hallkë pas hallke dhe proces pas procesi të gjitha çështjet dhe procedurat të cilat janë të lidhura drejtpërdrejt me shëndetin e qytetarëve.
Nuk mjafton kurrsesi vetëm të luaje rolin e jashtëm të informatorit të qytetarëve. Ministria e Bujqësisë nuk duhet të mjaftohet me kaq.
Asaj i duhet të ndërhyjë me mekanizmat e duhura dhe të jetë në front të parë në momentin që rrezikohet shëndeti i qytetarëve.
Fakti që qytetarët janë të informuar se një gjë është gabim jo domosdoshmërisht i shtyn ata të mos ndërmarrin një hap të gabuar. Këtu futen në lojë mekanizmat drejtuese që kanë për qëllim parandalimin dhe vendosjen e rregullit për mbarëvajtjen e qytetarëve.
Dhe në këtë rast, fakti që Ministria thotë se qytetarët kanë qenë të informuar për manderinat, nuk e përligj mungesën e hapave konkretë nga ana e saj dhe detyrimin për t’i shkuar drejt e në gjenezë zgjidhjes së këtij problemi
Jaupllari e distancoi Ministrinë e Bujqësisë nga pesha e fajit duke drejtuar gishtin e akuzës nga operatori i biznesit. Edhe pse në fillim tha se ngarkesat janë asgjësuar sipas ligjit dhe rregullave, ai tha se është operatori i biznesit ai që duhet të mbajë përgjegjësinë dhe të deklarojë se ku shkuan 11 ton manderina të tjera.
Por në çfarë hallkash e paska ndjekur Ministria procesin për aq kohë sa nuk e di ku janë manderinat e tjera?
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.