Futboll

Mançini ngre alarmin për sulmin e Italisë: Nuk kemi asnjë që luan titullar

Gazeta Si – Roberto Mançini, trajneri i Italisë kampione Europe, ngre alarmin për sulmin. Për ‘Il Messaggero’ ai ka folur me shqetësim për faktin se sulmi është një problem serioz në prag të kualifikueseve të Europianit me Anglinë dhe Maltën.

“Përpara problemet janë vërtet serioze. Imobile është dëmtuar, Raspadori është në dyshim. Kemi pikëpyetje të mëdha. Thuajse të gjithë qendërsulmuesit kanë luajtur pak minuta muajt e fundit. Nuk kemi asnjë që luan titullar, ndoshta vetëm Gnonto ka luajtur më shumë me Lidsin dhe mund të luajë si sulmues qendre.

Roberto Mançini, trajneri i Italise. Gazeta Si, 8 mars 2023

Për të tjerët jemi në vështirësi. Skamaka vjen nga një dëmtim, Imobile po ashtu u dëmtua dhe Beloti luan shumë pak”, – është shprehur trajneri italian.

Alternativat e pakta për të kanë bërë që të happen dyert e kombëtares për Andrea Kompanjo, sulmues i datëlindjes 1996 që luan në Rumani. “E ndjek prej dy vitesh, luan gjithmonë dhe shënon gola”, – ka thënë për të Mançini.

Trajneri ‘axurr’ i ka mbyllur dyert Moise Kean të Juventusit: “Është i ri dhe shpresat janë që të përmirësohet”. Mançini shpreson që të paktën Raspadori të rikuperohet në kohë.

Më 23 mars Italia luan me Anglinë dhe kjo do të jetë ndeshja e parë pa Xhanluka Vialin. “Do të jenë ditë të vështira, boshllëkun që ndjej çdo ditë do ta ndjejmë më fort në atë kohë. Gjithçka që na ka lënë duhet të jetë e dobishme për të tashmen dhe të ardhmen tonë”, – shton më tej Mançini.

Në fund një mendim për Anglinë: “Është nga skuadrat më të forta në botë për momentin. Në Botëror u eliminua nga Franca ndoshta në mënyrë të pamerituar. Për ne ka shumë rëndësi ta nisim mirë, na duhet një stadium plot me dashuri për Italinë. Si çdo të diel kur luan Napoli”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë