Të vetmen herë që “axurrët” kanë fituar titullin kontinental, Roberto Mançini ishte fëmijë: viti 1968, Italia e Valkarexhit kampione Europe. Një titull i dytë do të ishte historik, edhe pse finalja e së dielës në “Wembley” është një arritje që e rivendos futbollin italian në qendër të skenës.
Trajneri Mançini nuk është tip që kënaqet lehtë. “Nëse kemi arritur deri këtu, meritat nuk janë të miat, por të futbollistëve, të cilët kanë besuar për gjithçka kanë bërë. Por nuk ka përfunduar, është një punë që duhet mbyllur. Duhet të rikuperojmë energjitë dhe të luajmë sa më mirë në finale”, – ka theksuar trajneri italian pas kualifikimit.
Me Spanjën duhet pranuar se Italia vuajti. Llotaria e penalltive u dha të drejtë “axurrëve” dhe trajneri Mançini e pranon këtë fakt: “Ishte ndeshje shumë e fortë, Spanja është një skuadër e madhe, luan mirë dhe e qarkullon topin me mjeshtëri. Ne kemi bërë një ndeshje të mirë, por jo si zakonisht. E dija gjithsesi që do të ishte shumë e vështirë”.
Spanjollët e nisin ndeshjen me Moratën në stol dhe Italia u vu në vështirësi. “Po, në fillim patëm vështirësi, më pas gjetëm koordinatat e duhura dhe nuk u rrezikuam shumë. Nuk fituam siç dimë. Skuadrat e futbollit sulmojnë dhe mbrohen, nuk mundet që vetëm të sulmojmë. Megjithatë, patëm rastet tona për të shënuar. Ishte një ndeshje e hapur gjithë kohën”, – përfundoi Mançini.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.