Para një javë ajo humbje 2-1 me Njukastëll u duk sikur e mbylli përfundimisht garën për titullin kampion në Angli. Por ja ku jemi një javë më mbrapa dhe kampionët në fuqi, Mançester Siti janë sërish aty duke vazhduar të kërcënojnë Liverpulin për kreun e kampionatit. Ekipi i Guardiolës ka marrë një fitore shumë të rëndësishme përballë Arsenalit në shifrat 3-1.
Ishte argjentinasi Serxhio Aguerro që ka bërë rolin e heroit këtë të diele për ekipin kampion në fuqi. Me tre golat e tij, Aguerro ka bërë të pavlefshëm golin e Koshielnit në pjesën e parë për Arsenalin. Argjentinasi e gjeti golin e parë ende pa filluar mirë loja, që në minutën e dytë të takimit. Barazimit të Arsenalit, sulmuesi 31-vjeçar do i përgjigjej në fundin e pjesës së parë, për të çuar Sitin në dhomat e zhveshjes në avantazh.
Në pjesën e dytë ishte sërish Mançester Siti që kontrolloi lojën dhe kërkoi të shënonte edhe golin e sigurisë. Dhe pikërisht qetësinë për Guardiolën do e jepte Aguerro në minutën e 61’. Pas këtij goli, tekniku spanjoll i dha mundësinë që të shijonte duartrokitjet e “Etihat Stadium”, duke e zëvendësuar me brazilianin Gabriel Hezus. Me këtë fitore “qytetarët” janë vetëm 2 pikë më pak se Liverpuli që do e luaj ndeshjen e tij të hënën. Ndërsa Arsenali me këtë humbje vë akoma dhe më shumë në diskutim vendin e katërt në tabelë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




