Futboll

Mançester Junajtid parakalon PSG-në për sulmuesin Hojlund, Atalanta do 70 mln euro

Gazeta Si – Nuk është një ankand, por një duel në distancë, që duket se po bën lojën e Atalantës. Sepse lëvizjet e PSG-së mund të bindin, ose mund ta kenë bindur tashmë Mançester Junajtid për sulmin final në lidhje me Rasmus Hojlund.

Atalanta nuk ka nevojë në bilanc për të shitur patjetër, por i ka të qarta idetë se çfarë duhet të bëjë, në varësi të rrethanave. Nuk mund të mbajë me forcë një lojtar, që kërkon të luajë në Premier Ligë, me një klub mjaft prestigjioz. Mançester Junajtid ka qenë gjithmonë në ëndrrat e tij dhe drejtohet nga një trajner që prej muajsh i thur elozhe.

Rasmus Hojlund me fanellen e Danimarkes. Gazeta Si, 28 korrik 2023

Agjentët e sulmuesit që sezonin e kaluar ia kanë bërë të ditur Atalantës se duan ta çojnë atë në Angli. Dhe që të ndodhë kjo duhet që Atalanta të përfitojë 70 milionë euro. Për momentin ‘Djajtë e kuq’ afrojnë 60, por duke parë edhe interesin e PSG-së, mund ta rritin ofertën dhe kjo është vetëm çështje orësh.

Atalanta synon ta bëjë shitjen sa më parë të jetë e mundur, që më pas të ketë kohë për të investuar shumën e përfituar nga Hojlund. Më parë bleu El Bilal Touré sapo shiti Bogën te Nisa. Të njëjtën mënyrë do të ndjekë edhe me Hojlund, pasi të ketë arkëtuar shifrën e dëshiruar.

Dhe këtu ka hyrë në lojë edhe PSG, që sipas ‘Equipe’, ofron fillimisht 50 milionë euro. Lojtari pëlqehet shumë nga francezët, por për momentin është edhe çështja Mbape që duhet të marrë një zgjidhje përfundimtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë