Nga Gazeta Si – Vaksina HPV (ndryshe vaksina kundër human papilonavirusit), e cila redukton kancerin e qafës së mitrës do të bëhet falas për të gjitha vajzat në moshën e paraadoleshencës në vendin tonë.
Lajmi është bërë me dije nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë një inspektimi në qendrën shëndetësore nr.2 në kryeqytet.
“Në Javën Botërore të Imunizimit ne kemi një lajm të mirë për të dhënë. Kemi vendosur që në vijim edhe të rekomandimit të Komitetit të Vaksinimit, të përfshijmë në kalendarin tonë kombëtar të vaksinimit dhe një vaksinë të re, vaksinën kundër human papilomavirusit. Një vaksinë e cila tashmë është në të gjithë kalendaret europiane të vaksinimit, e cila realizohet si vaksinë në moshën paraadoleshente te vajzat. Përfshirja e kësaj vaksine, duke filluar nga viti i ardhshëm, nga viti 2023 në kalendarin kombëtar të vaksinimit, do të rrisë mbrojtjen për vajzat sot, gratë nesër, në mënyrë që të shmangim një kancer i cili është shumë i rrezikshëm, kancerin e qafës së mitrës”, është shprehur Manastirliu.
Sipas ministres Manastirliu kjo është një prej vaksinave jetëshpëtuese, pasi ka një efektivitet shumë të lartë dhe ul kostot financiare të familjeve.
“Përfshirja e vaksinës HPV tek vajzat do të na japë një garanci rreth 99 % që do të kemi një reduktim të riskut ndaj kancerit të qafës së mitrës. Studimet kanë treguar që edhe efektiviteti vetëm me një dozë e vaksinës kundër human papilomavirusit redukton deri në 89% rrezikshmërinë ndaj kancerit të qafës së mitrës”, tha Manastirliu.
Edhe shefja e Departamentit të Epidemilogjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino, e ka konsideruar këtë një investim në shëndet, duke theksuar se kjo vaksinë është e sigurt.
Me përfshirjen e testit HPV falas në qendrat shëndetësore, programi i vaksinimit do të zgjerohet me vaksinën e 14 në Kalendarin Kombëtar të Vaksinimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje