Sociale

Manastirliu: Të gjithë personat +18 vjeç mund të bëjnë dozën e tretë të vaksinës

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka deklaruar se qytetarët +18 vjeç mund të bëjnë dozën e tretë të vaksinës Covid-19. Me anë të një statusi në rrjetin social “Facebook”, Manastirliu ka udhëzuar se qytetarët duhet të kenë kaluar 6 muaj nga vaksinimi total me dy doza.

Përpara dy muajve autoritetet shëndetësore vendosën se doza e tretë e Covid-19 duhet të aplikohen tek qytetarët 60 vjeç, si dhe uljen e moshës së lejuar për vaksinim, duke përfshirë tanimë dhe ata mbi 16 vjeç, apo dhe fëmijët mbi 12 vjeç me probleme shëndetësore.

Ndërkaq nga foltorja e Kuvendit Ogerta Manastirliu ka diskutuar mbi ndryshimet e bëra në marrëveshjen për vaksinën Pfizer. Ministrja ka shpjeguar se kjo marrëveshje lehtëson procedurat për vaksinat Pfizer që dhurohen nga shtete që kanë disponibilitet vaksine.

“Ndryshimet në marrëveshje na ndihmojnë në rritjen e disponibilitetit të vaksinave në një kohë shumë të shpejtë. Nuk janë zgjidhje vendimet ekstreme dhe ne do të jemi shumë të kujdesshëm me masat që do të marrim. Vaksinimi i kombinuar me masat e thjeshta, distanca, higjienë edhe mbajtja e maskës, janë armët që kemi në dorë dhe duhet t'i përdorim për të frenuar përhapjen e pandemisë", tha Manastirliu.

Ministrja ka theksuar se vendi ndodhet përballë një vale të re potenciale të Covid-19. Ajo shtoi se zgjidhje është vaksinimi dhe jo masat ekstreme.

"E gjithë bota është në alert të shtuar për shkak të variantit të ri Omicron. Teksa është duke u vlerësuar forca goditëse e një vale të re potenciale, për të mos kaluar në kufizime drastike, të gjithë ekspertët në botë po rekomandojmë të vetmen mbrojtje që ka sot, vaksinën. 94% e pacientëve të shtruar në spitalin infektiv janë të pavaksinuar, vaksinimi ul me 84% riskun e shtrimit në spital”, shtoi Manastirliu.

Më tej ajo tha se në 25 bashki të vendit, si Tiranë, Fier, Lushnjë etj, mbulesa vaksinale ka arritur deri në 50%, ndërsa imunizmi i përgjithshëm është 47% për një dozë dhe nevojitet që të vaksinohen akoma dhe më shumë qytetarët për t’iu kthyer normalitetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë