Shendet

Manastirliu: Prioritet i 2023 do jetë rritja e pagave. Largimi i mjekëve s’ka zgjidhje të shpejtë dhe magjike

Nga Gazeta Si- Ministrja Ogerta Manastirliu deklaroi se prioriteti i këtij viti do jetë rritja e pagave dhe zgjerimi i shërbimeve shëndetësore afër vendbanimeve.

“Do vijojmë që të investojmë në flotën e re të shërbimit të urgjencës Kombëtare duke rritur numrin e automjeteve të reja”, tha ajo duke analizuar 2022-shin dhe duke folur për objektivat e këtij viti. .

E pyetur se çfarë do të thotë për shërbimin shëndetësor largimi i mjekëve, Manastirliu tha se ky është një problem dhe betejë e përditshme.

Ajo u shpreh ndër të tjera se kjo kërkon një punë në disa drejtime, si në fuqizimin e burimeve njerëzore, përmirësimin e kushteve të punës, dhe hapjen e specializimeve të përvitshme.

“Lëvizja e lirë e mjekëve është fenomen i izoluar, por që ka prekur vende të rajonit, europiane dhe deri edhe në vende si Britania. Përballja me këtë fenomen është një betejë e përditshme, nuk ka zgjidhje të shpejta e as zgjidhje magjike”, tha Manastirliu duke shtuar se ky vit do të ketë edhe programe të mbështetjes specifike për mjekët, për të tërhequr mjekët të cilët duan të kthehen në vend, “dhe interesi jonë është të kthehen sa më shumë mjekë sepse vijnë dhe të trajnuar, dhe sigurisht të mbajmë mjekët që kemi këtu”, tha ajo.

Manastirliu foli edhe për situatën e Covid-19 në Kinë dhe alarmin në botë duke thënë se Komiteti po vlerëson situatën për të marrë masat në varësi të asaj që ndodh.

“Situata paraqitet e kontrolluar. Këtë kohë kemi miksim të gripit dhe Covidit. Është ulur incidenca për Covid-19 këto dy javë në krahasim me dy javët më parë por ka incidencë në rritje për gripin”, tha Manastirliu.

Ajo shtoi se pritet rritje e rasteve me grip në javët e ardhshme dhe bëri edhe një herë tjetër thirrje për vaksinim.

Ndërkohë, Manastirliu tha se nga shkurti, fillon shpërndarja e fishave të diabetit falas për personat mbi 65 vjeç.

“Mbi 50 mijë pensionistë do të përfitojnë nga kjo masë” tha ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë