Sociale

Manastirliu: Nis trajtimi i ri për Covid-19 me plazën e gjakut të pacientëve që e kanë kaluar

Në një vizitë në Qendrën Spitalore Universitare, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, deklaroi se do të nisë edhe një trajtim i ri për të prekurit nga Covid-19, ndërkohë që ka bërë apel për dhurimet vullnetare.

“I gjithë ekipi i qendrës së gjakut, QSUT, i drejtuar nga Ministria e Shëndetësisë kanë hartuar protokollet për terapinë me plazëm. Në bashkëpunim me Universitetin e Pavias e kemi nisur dhe po e finalizojmë këtë proces dhe jemi gati për të ndërtuar bankën e plazmës. Janë marrë të gjitha masat për të garantuar cilësi dhe siguri për aplikimin edhe të kësaj terapie për ata pacientë që kanë nevojë në dy spitalet COVID”, tha Manastirliu.
Manastirliu deklaroi se janë marrë masat për kryerjen e të gjithë procesit, që nga ekzaminimet e deri te procesi final i trajtimit.

“Sot ne nisim fushatën ‘Bëhu hero për dikë që ka nevojë për ty’ dhe tashmë kemi dhuruesit e parë që e kanë kaluar sëmundjen por është e rëndësishme që të krijojmë zinxhirin e solidaritetit, për të ndërtuar bankën e plazmës për të ndihmuar ata qytetarë që kanë nevojë për këtë trajtim mjekësor në dy spitalet COVID”, tha Manastirliu.

Ndërkohë Shefja e shërbimit Infektiv Najada Çomo tha se prej kohësh po punohet me Ministrinë e Shëndetësisë, për këtë terapi dhe i bëri apel personave që e kanë kaluar sëmundjen, të bëjnë këtë gjest human në ndihmë të atyre që kanë nevojë.
Vullnetarë për këtë trajtim mund të jetë cdo mashkull që është ndërmjet 18-65 vjeç dhe çdo grua e kësaj moshe që nuk ka kaluar shtatzëni, që e kanë kaluar COVID19 dhe dhurimi mund të bëhet në çdo bankë gjaku në spitale dhe çdo person që dëshiron të dhurojë, mund të aplikojë online në faqen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë