Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka mohuar zërat se në 4 spitalet COVID në kryeqytet nuk ka më vende.
Në një prononcim për mediat, Manastirliu ka thënë se në spitalet Covid të Tiranës trajtohen rastet më të rënda.
“Kryeqyteti nuk i ka ezauruar në 4 spitalet Covid kapacitetet, përkundrazi, ka gjithmonë vende të lira dhe prandaj hapen spitalet rajonale, në mënyrë që të krijojnë disponibilitetin e nevojshëm të shtretërve për rastet, që sipas protokollit që ne kemi përcaktuar, për spitalet rajonale dhe algoritmit për raste të cilat duhet të vijnë në Tiranë, që janë raste të rënda dhe që duhen trajtuar me ekspertizën që tashmë e kanë fituar të 4 spitalet Covid në Tiranë, të kenë mundësi të trajtohen. Pra gjithçka është e organizuar sipas një protokolli specifik me algoritme dhe skema specifike. Mjekët e spitaleve rajonale i disponojnë këto protokolle dhe në bazë të rëndesës së rastit, specificiteti që ai ka, dërgohen sipas një transporti me kushte optimale nga Urgjenca Kombëtare, në strukturat tona të spitaleve Covid. Spitalet Covid aktualisht kanë disponibilitet”, është shprehur ministrja.
Ministrja Manastirliu thotë se në dy spitalet rajonale janë rreth 20 pacientë të shtruar.
“Aktualisht në të dy spitalet në Shkodër dhe në Durrës ka rreth 20 të shtruar, pa përfshirë këtu ata të cilët trajtohen për post Covid dhe ata që janë raste të dyshuar. Shtrimet në spitale janë dinamike, pra nuk ka një numër fiks, disa transportohen në Tiranë, disa konfirmohet diagnoza dhe shkojnë në pavione të tjera. Ne disponojmë të gjitha kapacitetet spitalore për të pritur të gjithë rastet që kërkojnë kujdes spitalor në spitalet tona”, përfundoi Manastirliu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.