Shendet

Manastirliu: Do të marrim 300 mijë vaksina Pfizer brenda marsit

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, deklaroi në Komisionin e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë se gjatë muajit mars, vendi ynë do të marrë rreth 300 mijë vaksina anti-Covid nga kompania Pfizer.

Më tej Manastirliu ka shpjeguar se për vitin 2022 është parashikuar blerja e 1 milion dozave të vaksinës Pfizer dhe 500 doza opsionale.

Duke folur për procesin e vaksinimit, Manastirliu ka thënë se janë kryer mbi 2.7 milion vaksinime, brenda dhe jashtë vendit.
“Kemi vijuar edhe më një proces tjetër, për sa i përket grumbullimit të të gjithë dokumentacionit të qytetarëve shqiptarë që janë vaksinuar jashtë vendit, të cilët janë mbi 55 mijë qytetarë që kanë kryer vaksinat jashtë vendit dhe janë përllogaritur në totalin e aplikimeve të dozave”, është shprehur Ministrja.

Sipas saj vaksinimi për popullatën target +16 vjeç ka arritur në 59.3 % me një dozë dhe mbi 55% me dy doza. Ministrja shtoi se me këtë sasi do të garantohen edhe vaksinat për moshat pediatrike nëse, Komiteti Kombëtar i Vaksinimit do të ketë rekomandim për vaksinimin e fëmijëve.

Lidhur me situatën epidemiologjike, Manastirliu deklaroi se aktualisht kemi ulje të rasteve ditore dhe situata në spitale paraqitet e kontrolluar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë