Futboll

Manaj bind, Specia bën gati 2.7 mln euro ta blejë nga Barça

Gazeta Si – Rei Manaj pritet të jetë në verë zyrtarisht një lojtar i Specias. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare duket se e ka bindur klubin italian me atë që ka dhënë gjatë kësaj periudhe në Serinë A.

Manaj është një lojtar në pronësi të Barcelonës. Klubi katalanas e huazoi te Specia këtë sezon, ku futbollisti kuqezi ka bërë një paraqitje relativisht të mirë dhe ka shënuar 5 gola. Dhe kaq mjafton për blerjen e tij.

Manaj ne nje ndeshje ndaj Lacios. Gazeta Si, 12 maj 2022

Sipas shtypit italian dhe konkretisht “Tuttomercatoweb”, që Manaj të jetë përfundimisht lojtar i Specias, duhen derdhur 2.7 milionë euro në arkat e Barcelonës. Një shumë, që gjithmonë sipas shtypit italian, është gati të paguhet nga drejtuesit e Specias.

Rei Manaj është rritur futbollistikisht tek Interi, që e ka huazuar shpesh. Më pas ai kaloi në Spanjë, ku luajti për disa skuadra, gjithmonë në huazim, derisa u ble nga Barcelona B. Në një moment u duk se sulmuesi kuqezi ishte afër skuadrës së parë, por në fund u vendos për huazimin te Specia.

Tani që sezonit po i vjen fundi, Specia duhet të marrë një vendim dhe gjasat janë që ta blejë kartonin e sulmuesit shqiptar. Manaj ka fituar një lloj pjekurie dhe mund të jetë i rëndësishëm për këtë skuadër.

Në disa ndeshje Manaj e ka mbajtur i vetëm peshën e sulmit të Specias dhe trajneri Tiago Mota e ka vlerësuar shumë. Edhe pse nuk ka shënuar shumë gola, ai është një lojtar që punon shumë për skuadrën, duke e tërhequr përpara.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë