Futboll

Man Utd në sezonin më të shkurtër të një shekulli

Nga Gazeta “Si” – Humbja ndaj Brighton-it në raundin e tretë të “FA Cup” shënoi një tjetër moment të errët për Manchester United, që pritet të luajnë vetëm 40 ndeshje këtë sezon – numri më i ulët i ndeshjeve në një sezon për klubin në më shumë se një shekull.

Për herë të parë në mbi 40 vjet, Manchester United u ndal në pengesën e parë në të dyja kupat ishullore në të njëjtin sezon.

Në Gusht, ishte Grimsby Town (kategorisë së katërt) që dha goditjen e parë, duke eliminuar United në raundin e dytë nga “League Cup”, me penallti (pas barazimit 2-2).

Të dielën, Brighton udhëtoi drejt “Old Trafford” për ndeshjen e raundit të tretë në “FA Cup” dhe u kthye në jug me një fitore të merituar 2-1, duke thelluar edhe më tej plagët.

Ish-sulmuesi i United, Danny Welbeck, shënoi golin e fitores – një fakt i dhimbshëm që tifozët vendas nuk do ta harrojnë lehtë.

Brighton është kthyer në një kundërshtar problematik për United në vitet e fundit. Që nga fillimi i sezonit 2021/22, asnjë skuadër nuk i ka mposhtur “Djajtë e Kuq” më shpesh në të gjitha kompeticionet (7 herë).

Hera e fundit që United u eliminua në ndeshjen e parë si në “FA Cup” ashtu edhe në “League Cup”, ishte sezonin 1981/82.

Ai sezon përfundoi me eliminime të hershme nga Tottenham Hotspur në “League Cup” dhe Watford në “FA Cup”.

Megjithatë, shifra më goditëse që del nga humbja e së dielës është numri i ndeshjeve që United do të luajnë në sezonin aktual.

Pas eleminimit nga dy kupat ishullore dhe në mungesë të futbollit evropian në “Old Trafford”, United do ta mbyllin sezonin me vetëm 40 ndeshje.

Michael Carrick do të drejtojë “red devils” në sezonin më të shkurtër në historinë e klubit

Ky është numri më i ulët në një sezon që nga ai 1914/15, kur luajti vetëm 39 ndeshje.

Atë sezon, “Red devils” zhvilluan 38 ndeshje në kampionat dhe u eliminuan nga “The Wednesday” (që më vonë u quajt Sheffield Wednesday), në raundin e parë të “FA Cup”.

“League Cup” nuk ekzistonte ende në atë kohë (u krijua në vitin 1960).

Që nga Lufta e Dytë Botërore, United do të luajnë tre ndeshje më pak sesa në çdo sezon tjetër pasues.

Në epokën e “Premier League”, sezoni më i dobët për numrin e ndeshjeve ishte 2014/15, kur luajtën vetëm 44 të tilla në të gjitha kompeticionet, sezoni i parë i Louis van Gaal si trajner.

Ajo fushatë mbahet mend sidomos për humbjen poshtëruese 4-0 ndaj MK Dons në “League Cup”.

Para këtij sezoni, kanë qenë vetëm 15 raste kur një skuadër e “Premier League” ka luajtur minimumin e mundshëm prej 40 ndeshjesh në një sezon.

United tani do t’i shtohen kësaj liste, së bashku me Bournemouth, duke e çuar totalin në 17.

Ky rekord shënon një tjetër pikë të ulët në një seri në dukje pafund për Manchester United.

Trajneri i komanduar, Darren Fletcher e drejtoi skuadrën në barazimin ndaj Burnley-t përpara humbjes ndaj Brighton-it.

Pasuesi (deri në fund të sezonit) Michael Carrick, ka një detyrë shumë të vështirë, qoftë edhe vetëm për të rikthyer ndonjë ndjenjë pozitive në klub, pa folur për rezultate domethënëse.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë