Gazeta Si – Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit Berisha, tha se do të kërkojnë që kryeministri Edi Rama të thirret si dëshmitar gjatë seancave gjyqësore për dosjen “Partizani”, gjykimi i të cilës pritet të nisë këtë të hënë.
Malltezi tha se këtë gjë e kanë kërkuar edhe gjatë seancës paraprake, por sipas tij, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk guxon që t’i “shënojë as emrin”.
“Po patjetër, Edi Rama duhet të jetë. SPAK nuk guxon ta thërrasë as për dëshmitar Edi Ramën. E kemi kërkuar që gjatë fazës së hetimeve, e kemi kërkuar te gjyqtarja e seancës paraprake. Nuk guxon, t’i shënojë emrin. SPAK ka shkuar deri në mashtrim. E ka bërë mashtrimin pjesë të dokumentacionit zyrtar. Ka shkruar kryetari i KRRT-së Tiranë është Sali Berisha vetëm e vetëm se e kanë tmerr. Edi Rama ka 8 firma në këtë procedurë, Sali Berisha s’ka asnjë”, tha Malltezi, i cili pohoi se vetë do të jetë i pranishëm në shumicën e seancave.
Sipas Malltezit, edhe Taulant Balla duhet të jetë i pranishëm, sepse ka bërë kallëzimin. Malltezi hodhi akuza edhe ndaj vëllait të kryeministrit Rama se ka vjedhur klubin Partizani “pa asnjë copë letër”.
Dhëndri i kreut të Partisë Demokratike i bëri komentet para seancës ndaj tij për masën e sigurisë ku ai kërkon lirimin nga “arresti i shtëpisë”. Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e shtyu më 7 korrik seancën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.