Ka ndodhur

Mallra kontrabandë, nën hetim doganieri i Hanit të Hotit dhe dy të tjerë

Tre persona janë vënë nën hetim nga policia kufitare në Hanin e Hotit në Shkodër, pasi dyshohet se kanë favorizuar kalimin e mallrave kontrabandë. Bëhet fjalë për: Ruzhdi Shabaj, 59 vjeç, Indrit Rroji, 48 vjeç dhe Enad Mesi, 28 vjeç, ku i fundit me detyrë doganier.

Policia sqaron se 59-vjeçari është konstatuar në doganën e Hanit të Hotit, me disa mallra dhe produkte të cilat i ka kaluar pa i deklaruar në organet doganore. Më pas atij i është bërë një kontroll në banesë dhe i është gjetur një armë gjahu.

Më pas është ushtruar kontroll në njërin prej subjekteve me administrator Rrojin, të cilin dyshohet se Shabaj e furnizonte me produkte kontrabandë, ku janë gjetur disa mallra dhe produkte të ndryshme të dyshuara kontrabandë.

Në të gjithë këtë skemë të kalimit të mallrave kontrabandë, akuzohet se është përfshirë dhe doganieri 28-vjeçar. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar 1 armë gjahu dhe disa mallra kontrabandë.

Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, po punon për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të kundërligjshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë