Ka ndodhur

Mallra kontrabandë në Kapshticë, arrestohet doganieri dhe 2 persona të tjerë

Nga Gazeta Si – Tre persona, njëri prej tyre doganier në Pikën Doganore Kapshticë janë arrestuar, pasi kalonin mallra kontrabandë në Kapshticë.

Policia thotë se u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: – Th. Dh., 42 vjeç, banues në Korçë. – A. Zh., 51 vjeç, banues në Korçë. – R. Sh., 56 vjeç, banues në Bilisht, Devoll (me detyrë doganier në Pikën Doganore Kapshticë).

Policia thotë se është sekuestruar një sasi mallrash të dyshuara kontrabandë (veshje, atlete dhe pajisje të ndryshme).

“Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin kamion tip ‘Man’, me drejtues shtetasin Th. Dh. dhe porositës të mallit shtetasin A. Zh., u gjetën mallra dhe disa pajisje të dyshuara kontrabandë.

Në vijim të veprimeve gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit A. Zh., u gjetën një sasi tjetër me mallra të dyshuara kontrabandë (veshje dhe atlete) të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu, nga hetimet e kryera dyshohet se shtetasi R. Sh., me detyrë doganier, ka shpërdoruar detyrën, pasi dyshohet se ka lejuar kalimin e kamionit me mallra të dyshuar kontrabandë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”; “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë