Nga Gazeta Si- Dy vëllezër janë gjetur të vdekur në banesë në fshatin Çorrush të Mallakastrës.
Mësohet se të dy viktimat janë rreth 90 vjeç.
Dy viktimat janë Sabri Velaj dhe Novrus Velaj, të cilët dyshohet se u asfiksuan në banesën ku jetonin vetëm.
“Rreth orës 11:00, në fshatin Çorrush, Mallakastër, në banesën e tyre, janë gjetur pa shenja jete shtetasit S. V., 90 vjeç dhe N. V., 85 vjeç(vëllezër), të cilët jetonin të vetëm. Paraprakisht nuk dyshohet për ngjarje kriminale”, njofton policia.
Kryeplaku i fshatit Çorrush në Mallakastër, Ismet Zenelaj, tregon se si e mori vesh ngjarjen për dy vëllezërit e moshuar, të cilët u gjetën të pajetë në banesën e tyre të rikonstruktuar rreth tre vite më parë nga bashkia Mallakastër.
“Më lajmëroi kryeplaku i lagjes se një prej gjitonëve të të moshuarve e ka njoftuar se prej një jave nuk i kanë parë të dy vëllezërit, ndaj erdha menjëherë për të parë nga afër situatën. Dera ishte e mbyllur dhe mora një shkallë ku munda të shoh nga dritarja.
Njëri prej tyre kishte rënë në mes të korridorit dhe ishte i gjakosur nga ana që kishte rënë, ndërsa tjetri paksa i zhveshur, por nuk arrita t’i dalloj mirë. Era e trupave ndihet edhe jashtë banesës, gjë që tregon se mund të kenë ndërruar jetë prej disa ditësh. Të dy vëllezërit jetonin të vetëm me pensionet e pleqërisë”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




