Muzike

‘Mall për Gent Demaliaj’, rikthehet në Lezhë muzika shqiptare e viteve ‘90

posteri

Nga Gazeta Si Gent Demaliaj ishte djali i talentuar, i cili pushtoi skenat në vitet ‘90 dhe bëri për vete publikun shqiptar me këngët e tij.

Këngët e pjesëtarit të grupit “Djemtë e detit” që lanë gjurmë ndër vite, do të kumbojnë sërish më 18 qershor në koncertin “Mall për Gent Demaliaj” të interpretuara nga vajza Edea dhe kitaristi Aurel Gjini.

Edea Demaliaj, e cila e ka të trashëguar nga i ati pasionin ndaj muzikës dhe të kënduarit, së bashku me kitaristin Aurel Gjini do të sjellin në qytetin e Lezhës këngë të këngëtarit që dëgjohen edhe sot e kësaj dite.

Organizatorja e koncertit Edea Demaliaj tregon për Gazetën “Si” detajet e koncertit, ku e cilëson këtë event si një rikthim të muzikës së vërtetë shqiptare.

Sipas Demaliaj, ideja e koncertit lindi krejt rastësisht dhe më pas me dëshirën dhe punën e vazhdueshme u finalizua.

“Idenë dhe iniciativën e këtij koncerti unë ia atribuoj kitaristit tim Aurel Gjinit. Unë dhe Aureli kemi tre muaj që performojmë së bashku në lokale të ndryshme dhe një nga këngët që pothuajse e këndojmë në çdo Live timin është kënga ‘Jo tani’ nga ‘Djemtë e detit’. Një natë, Aureli më drejtohet dhe më thotë që sa herë këndon këngën ‘Jo tani’ më duket sikur është kënga jote, nuk është kënga e Djemve të Detit. Pas disa ditësh, Aureli më thotë se kam filluar të mendojmë që duhet të bëjmë një lloj koncerti ku një të rikthejmë muzikën shqiptare”, rrëfen Demaliaj pikënisjen e këtij koncerti.

Ideja e të dy organizatorëve ishte që të rikthenin rrokun që pak a shumë është fshehur nën rrjedhën e muzikës komerciale, e të rikthenin muzikën e vjetër, por ndryshe, në një formë të re.

Për koncertin Edea edhe Aureli kanë tre muaj që përgatiten pasi kanë dashur që risjellja e këngëve të Gentit të bëhej në mënyrën më perfekte.

“Fatmirësisht kemi pasur ndihmën e Bashkisë Lezhë, të cilët u treguan shumë të gatshëm të organizonin këtë koncert. Ne vendosëm ta organizonim në Lezhë pasi është qyteti ku lindi gjithçka, ku u formua grupi “Djemtë e Detit’ dhe ku Gent Demaliaj zbuloi talentin e tij”, shprehet e bija Edea, ndërsa shton se “Lezha e do dhe e merr malli për atë lloj muzike”.

Duke pasur një ndjeshmëri të veçantë për këtë koncert, Demaliaj thotë se ky është koncerti i muzikës së vërtetë.

“Ky koncert për mua simbolizon rikthimin dhe ringjalljen e muzikës së vërtetë shqiptare, dhe jo vetëm. Unë faktikisht kam qenë pak e dyzuar me rikthimin tim në Shqipëri, por pasi filluam të këndonim Live, fillova të kuptoj që ato të paktët kanë më shumë rëndësi se të shumtët, dhe e bindëm veten që ne nuk bëjmë muzikë për të shumtët”, shprehet këngëtarja Demaliaj.

Për të është e pabesueshme që arritën në një kohë të shkurtër ta finalizonin, por sipas asaj gjithçka drejt finalizimit me dëshirën e madhe të gjithë grupit.

“Një koncert është vërtet 10 për qind performancë dhe 90 për qind punë, njerëzit vijnë dhe shohin një koncert një minutazh të caktuar, por pas fshihet një punë e palodhur dhe shumë prova”.

Demaliaj përfundon duke thënë se “koncerti që po bëjmë në Lezhë është një koncert që do sjellë këngë shumë ndryshe në version akustik, këngë deri diku të riorkestruara nga vetë grupi, por duke ruajtur linjat e muzikës së grupit ‘Djemtë e detit’, pasi vetë synimi i koncertit është të rikujtojmë atë muzikë”.

Koncerti do të jetë pa bileta dhe mund të shkojë të argëtohet kushdo që dëshiron.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë