Ngjarje

Maliq, 14-vjeçari vritet me thikë nga bashkëmoshatari i tij. Debatuan në rrjetet sociale

Gazeta Si – Një 14-vjeçar ka humbur jetën në Maliq pasditen e kësaj të enjteje në fshatin Pirg, pasi u godit me thikë gjatë një konflikti nga një bashkëmoshatar.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:30, në ambientet e një lokali. Sipas policisë autori dhe viktima kanë pasur konflikt më herët mes tyre, por ende mbetet e paqartë arsyeja. Ajo çka dihet, sipas burimeve, është se të miturit kanë debatuar edhe në rrjetet sociale më parë. 

Dy adoleshentët janë takuar për t’u sqaruar, por kanë debatuar mes tyre dhe më pas janë konfrontuar fizikisht.

Viktima ka humbur jetën si pasojë e goditjeve të marra me thikë. Sakaq mësohet se autori ka dëmtime, por jo me thikë dhe është duke u marrë në pyetje nga policia në ambientet e spitalit.

Sipas burimeve, autori ka qenë në shoqërinë e katër personave të tjerë, gjithashtu të mitur, ndërsa viktima me dy të tjerë.

Policia ka shoqëruar të gjithë personat e përfshirë, teksa po kryen hetimet mbi motivet dhe dinamikën e plotë të ngjarjes së rëndë.

Sakaq, është ngritur grupi hetimor dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

“Rreth orës 17:30, në fshatin Pirg, në ambientet e një lokali, ka ndodhur një konflikt dyshohet me mjet prerës (thikë) mes dy 14-vjeçarëve. Si pasojë e plagëve të marra shtetasi E. Xh., 14-vjeç, ka ndërruar jetë në spital. 14-vjeçari tjetër, autori i dyshuar i ngjarjes, është shoqëruar në spital, për të marrë mjekim, dhe është nën mbikëqyrjen e Policisë. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes“, njofton policia.

Ky krim vjen pak muaj pas ngjarjes së fundit në 18 nëntor 2024 në Tiranë, ku mbeti i vrarë me thikë 14-vjeçari Martin Cani vetëm disa metra larg shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” në kryeqytet.

I mituri u vra nga bashkëmoshatari i tij, M.P., i cili po gjykohet për veprën penale “vrasje në rrethana cilësuese”, ndaj dy ose më shumë personave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë