Filma

Mali i Zi do rishfaqë filmin ‘Lejleku’ që u pengua në Podgoricë: Mbrojmë çdo gjuhë

Nga Gazeta “SI”- Filmi artistik me metrazh të gjatë “Lejleku”, nga regjisori i njohur Isë Qosja, u ndërpre gjatë shfaqjes në festivalin “Džada Fest” në Podgoricë të Malit të Zi për shkak të reagimit të disa të rinjve, të cilët nuk pranuan që të shfaqej një film në gjuhën shqipe. Incidenti shkaktoi ndërhyrjen e policisë.

Regjisori Qosja ka deklaruar se filmi është bërë me zemër dhe i është dedikuar vendlindjes së tij, duke theksuar rëndësinë e gjuhës shqipe si gjuhë të shenjtë të popullit:

“Gjithmonë do të flasim shqip, do të mendojmë shqip dhe do të veprojmë shqip… edhe kur filmi flet me gjuhën e artit.”

Për ngjarjen ka reaguar Delegacioni i Bashkimit Evropian në Mal të Zi, një nga mbështetësit financiarë të festivalit :

“Liria e shprehjes artistike është pjesë përbërëse e lirisë së fjalës dhe një nga vlerat thelbësore demokratike”.

Për këtë incident reagoi edhe nënkryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Nikoll Camaj, i cili e cilësoi rastin si të papranueshëm:

Isa Qose

“Me shqetësim të madh kam pranuar lajmin për ndërprerjen e shfaqjes së filmit në gjuhën shqipe. E dënoj ashpër këtë akt, sepse incidente të tilla ofendojnë frymën qytetare të Malit të Zi dhe dëmtojnë bashkëjetesën mbi të cilën mbështetet shoqëria jonë”.

Camaj u bëri thirrje institucioneve të reagojnë me vendosmëri, duke theksuar se “Mali i Zi do të jetë i fortë vetëm aq sa mbron çdo gjuhë e kulturë që jeton në të”. Ai paralajmëroi se do të angazhohet personalisht për të çuar para përgjegjësisë autorët e incidentit.

Nikoll Camaj

Filmi pati premierën në PriFest në Prishtinë vitin e kaluar dhe përfshin aktorë si Arta Dobroshi, Donat Qosja, Shkumbin Istrefi, Arben Bajraktaraj, Flonja Kodheli dhe të tjerë. Subjekti zhvillohet në një zonë kufitare mes Malit të Zi dhe Shqipërisë dhe trajton temat e mentalitetit, patriarkatit dhe jetës në hapësirat e izoluara.

Pas incidentit, Radiotelevizioni i Malit të Zi (RTCG) njoftoi se filmi do të transmetohet në programin e parë (TVCG1) më 5 shtator, ora 21:30, si një akt kundër revizionizmit dhe diskriminimit gjuhësor. Drejtori i RTCG-së, Boris Raonić, tha se shfaqja do të jetë një mesazh i fuqishëm për mbrojtjen e kulturës dhe artit kundër sulmeve të tilla.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë