Ka ndodhur

Malësi e Madhe, hoteli shërbente për kultivimin e kanabisit (Video)

Gazeta Si – Një biznes që shërbente si bar-restorant-hotel është zbuluar nga policia si ambient për të kultivuar bimë narkotike kanabis sativa.

Ambienti i përshtatur për kultivim droge ndodhej në Malësi të Madhe dhe ishte marrë me qira nga dy persona, të cilët janë shpallur në kërkim.

Aktiviteti kriminal u zbulua gjatë një kontrolli të befasishëm të policisë në Rrugën e Culajve, pas informacioneve të marra në rrugë operative.

Policia thotë se biznesi bar-restorant hotel në pronësi të F.E., i ishte dhënë me qira shtetasit K.N. Ky i fundit, së bashku me A.S., e kishin përshtatur këtë ambient për kultivimin e lëndëve narkotike.

Në katin e parë dhe të dytë të godinës u gjetën dhe u sekuestruan 300 bimë narkotike të kultivuara në vazo, 1.3 kg kanabis dhe 230 llamba me stabilizator. 

Gjithashtu, gjatë kontrollit të ambientit është konstatuar edhe lidhje e paligjshme e energjisë elektrike. 

K.N., dhe A.S., u shpallën në kërkim nga policia dhe akuzohen për “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Vjedhja e energjisë elektrike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Ndërsa pronari i hotelit që e kishte dhënë me qira u procedua penalisht në gjendje të lirë.

Gjithashtu u proceduan penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, 4 punonjës të OSHEE-së; T. Zh., 45 vjeç, banues në fshatin Hot i Ri, Shkodër, koordinatori i zonës; S. H., 58 vjeç, banues në fshatin Grudë Fushë, Malësi e Madhe, shefi i ekipit të OSHEE-së; G. B., 52 vjeç, banues në fshatin Çesme, Malësi e Madhe, elekticist pranë OSHEE-së; R. B., 22 vjeç, banues në Malësi të Madhe, lexues i aparatit matës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë