Gazeta Si – Ja ku erdhi data 30 qershor, dita e fundit e kontratës së Paolo Maldinit, drejtorit teknik të Milanit. Ai dhe Masara janë dy nga arkitektët e titullit kuqezi të fituar pak kohë më parë, por rinovimi ende nuk ka ardhur.
Maldini dhe Masara janë të lirë të firmosin me skuadra të tjera dhe nuk mund të operojnë për llogari të Milanit, nëse edhe sot nuk firmosin rinovimin. Një proces që duket se është bërë si një mundje dore.

Firmat që prej javësh dukeshin të sigurta, nuk janë konkretizuar ende. Nga palët ka optimizëm, në fakt, por koha është limituar dhe mes tifozëve është rritur ankthi dhe janë shtuar dyshimet.
Pse kjo vonesë? Cilat janë arsyet e mundjes së dorës? Kuptohet që bisedimet diku kanë ngecur, pavarësisht optimizmit që shprehin Maldini dhe Masara. Janë detaje, që ndoshta nuk janë pikërisht detaje.
Ndryshimi i pronësisë kuptohet që i ka ngadalësuar gjërat. Po pse duhej të arrihej deri në ditën e fundit. Nyja kryesore në këtë rast duket se ka të bëjë me autonominë e dy drejtuesve të Milanit.
“Gazzetta dello Sport” flet pikërisht për këtë çështje, autonominë që Paolo Maldini kërkon të ketë nga pronarët e rinj. Drejtori teknik kërkon të ketë fjalën e fundit për të gjitha çështjet teknik, pra për merkaton.
Dhe këtu Milani po has vështirësi të mëdha. Fushata e blerjeve është ngadalësuar dhe kuqezinjtë kanë humbur mbrojtësin Botman. Renato Sançes po ashtu rrezikon të kalojë te PSG.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




