Futboll

Maldini dhe Nzola trondisin Interin, transferta sëmundje e pashërueshme për Inzagin

Gazeta Si – Zikaltrit bien edhe në ‘Picco’, duke pësuar humbjen e 8-të sezonale. Skuadra e Inzagit nuk po arrin të shërohet nga sëmundja e ndeshjeve jashtë fushe dhe sot është mundur 2-1 nga Specia.

Specia nuk fitonte prej tetë ndeshjesh dhe nuk festonte në fushën e saj që prej 17 shtatorit. Një goditje e fortë kjo për Interin, që ruan gjithsesi vendin e dytë, por atmosfera trazohet jo pak para sfidës së Championsit ndaj Portos.

Pas një pjese të të parë të dominuar, me një penallti të humbur nga Lautaro Martinez dhe disa pritje të tjera të Dragovskit, zikaltrit u ndëshkuan nga Daniele Maldini në minutën e 54-t. Inzagi tentoi me pas me tre sulmues dhe Lukaku barazoi shifrat me një tjetër penallti.

Por nuk është mbyllur me kaq. Një penallti edhe për Specian, që Nzola e ktheu në gol, duke vulosur rezultatin në 2-1. Kjo humbje vështirëson punët për vendin e dytë për Interin, ndërsa kreditet e trajnerit Simone Inzagi bien ndjeshëm tashmë. Tetë humbje janë shumë për këtë skuadër deri në këtë pikë të sezonit.

Në momentin e penalltisë së parë të Interit, që u gjuajt nga Lautaro Martinez, Lukaku reagoi i habitur nga stoli, pasi ishte ai që duhej të godiste.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë