Nga Gazeta 'SI' - Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka njoftuar se brenda muajit dhjetor qeveria do të kthejë të gjitha detyrimet e paguara nga profesionistët e lirë, në kuadër të skemës së tatim-fitimit, që u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese.
Në një konferencë për mediat bashkë me FMN-në dhe Bankën e Shqipërisë, Malaj tha se vendimi do të jepet javën e ardhshme.
“Ne ndoqëm GJK për të interpretuar dhe çfarë duhet të bëjmë me ligjin. Kushtetuesja nuk u shpreh, duke na lënë të kuptojmë që efektet e prodhuara nga ky ligj ishin legjitime. Brenda javës së ardhshme, do të kemi një lajm të mirë për profesionistët e lirë. Brenda dhjetorit do të kthehen detyrimet”, tha Malaj.
Ministri foli edhe për nismën e Rivlerësimit të banesave, duke ritheksuar se do të jetësohet brenda vitit 2025.
“Për çështjen e Rivlerësimit, ministria e Financave e ka vlerësuar me seriozitet dhe i ka kërkuar qeverisë, që krahas të përcaktohen edhe çmimet e reja në bashkitë e tjera. Të dyja këto nisma të hidhen paralelisht në të njëjtën kohë. MF ka përmbyllur çmimet e referencës për 14 bashki. Në 2025-n presim t’i kemi përfunduar dhe më pas të vazhdojmë me konsultimin”, tha ministri.
Në fjalën e saj, Anke Weber, shefe e Misionit të FMN për Shqipërinë theksoi nevojën që ka Shqipëria për reforma të thelluara, në të mirë të ekonomisë së vendit. Ajo tha se qeveria duhet të fokusohet në rritjen e produktivitetit, “duke hequr barrierat si stimujt tatimorë që shtrembërojnë tregun”.
Përfaqësuesja e FMN-së tha se institucioni nuk ka ende një propozim për skemën e pensioneve të Shqipërisë, por përsëriti se duhet analizuar tendenca demografike e vendit. Weber kërkoi përshpejtim të skemës për tatimin e pronës, ndryshimi e regjimit tatimor për profesionistët e lirë dhe heqjen e TVSH-së zero për biznesin e vogël.
“Përpjekjet duhet të rinisin për ristrukturimin e regjimit tatimor për profesionistët e vetëpunësuar krah heqjes së normës zero për bizneset e vogla. Puna përgatitore për miratimin e ligjit për tatimin mbi pronat duhet të përshpejtohet dhe të përfundohet në kohën e duhur. Ndërkohë që investimet publike dhe reformat për menaxhimin e rreziqeve fiskale mbeten thelbësore për transparencën", tha Anke Weber, Shefe e Misionit të FMN në Shqipëri.
Weber përmendi si zhvillim me risk rritjen e shpejtë të kredisë në sektorin e pasurive të patundshme.
Gjatë konferencës, Guvernatori Gent Sejko tha se ndonëse Shqipëria po përjeton një moment të mirëekonomik, por sfidat me të cilat përballet zhvillimi i vendit në të ardhmen nuk janë të pakta.
"Nga njëra anë, zhvillimi i qëndrueshëm afatgjatë i vendit kërkon një fokus më të madh në rritjen e produktivitetit, nëpërmjet rritjes së inovacionit, eficiencës dhe konkurrueshmërisë së bizneseve shqiptare, si dhe në zgjerimin dhe diversifikimin e mëtejshëm të bazës sektoriale të rritjes. Nga ana tjetër, tensionet gjeopolitike, problemet demografike, ndryshimi klimatik, si dhe inovacioni financiar, e ekspozojnë vendin ndaj sfidave afatgjata dhe goditjeve potenciale në të ardhmen. Kjo kërkon ruajtjen e fokusit në garantimin e stabilitetit makroekonomik, si dhe vijimin e punës për përmirësimin e shëndetit monetar, financiar e fiskal të ekonomisë."
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.