Nga Gazeta ‘SI’ – Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka prezantuar ditën e sotme në Kuvend aktin e ri normativ për buxhetin 2025, që e lejon të kalojë në fondin e ndihmës ekonomike, çdo para të pashpenzuar nga institucionet, rreth 150 mln euro në total.
Ministri Malaj është shprehur se ky akt normativ adreson nevojën e mbështetjes së shtresave në nevojë, siç janë familjet me ndihmë ekonomike dhe mbështetjen e personave me aftësi të kufizuar. Akti, në total, rishpërndan rreth 30 miliardë lekë kursimeve të evidentuara, drejt institucioneve që e kanë të nevojshme nga ato që nuk i kanë shpenzuar.
“Me këtë akt normativ siguruam mbështetjen e shtresave më në nevojë, siç janë familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike, apo personat me aftësi të kufizuar, si dhe kujdestarët e tyre. Si dhe paralelisht me këtë, kemi garantuar edhe fondet e nevojshme për skemën e pensioneve. Përmes fondeve të dedikuara kemi synuar jo vetëm ruajtjen, por edhe rritjen graduale të mbështetjes sociale, duke iu përgjigjur nevojave reale të qytetarëve shqiptarë. Për vitin 2025, mbështetja buxhetore për familjet që kanë përfituar ndihmë ekonomike, si dhe për personat me aftësi të kufizuar, arrin në vlerën 25.6 miliardë lekë apo 256 milionë euro, përfshirë këtu dhe fondin për bonusin e fundvitit. Ndërsa për kategorinë e pensionistëve, që përfshin bonusin plus indeksimin, fondi buxhetor u llogarit në rreth 120 milionë euro. Nga një vlerësim paraprak që kemi bërë si Ministri e Financave, shuma që minimalisht dhe në vizionin minimalist do të kalojë në këtë llogari është rreth 150 milionë euro.
Gjatë fjalës së tij, ministri tha se pritet që rritja ekonomike e 2025-s të jetë 3.9%.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



