Motosport

Maks Vershtapen shpallet kampion bote për herë të 3-të radhazi para garës së Katarit

Gazeta Si – Mision i përmbushur për 26-vjeçarin holandez që para flamurit me kuadrate të minigarës së Losail. Ndodhi ajo që pritej, Maks Vershtapen është zyrtarisht kampion bote në Formula 1 për herë të tretë radhazi. Titulli këtë herë ka ardhur në garën Sprint, para garës tradicionale të së dielës në Katar.

Garën Sprint sot e fitoi Oskar Piastri (që u nis i pari), i cili la pas Vershtapen dhe MekLarenin e Lando Norris. Zyrtarizimi i titullit të 3-të historik për holandezin erdhi pak pasi kishte kaluar gjysma e garës, me daljen nga skena të shokut të skuadrës, Serxhio Perez, një ‘viktimë’ e pafajshme e duelit me Esteban Okon dhe Niko Hulkenberg.

Vendi i 4-t dhe i 5-të për Mercedesët e Xhorxh Rasëll dhe Ljuis Hemilton, Ferrari zuri vendin e 6-të dhe të 7-të me Karlos Sainz përpara Sharl Leklerk.

Në fillim të garës Sprint u fut në pistë ‘Safety Car’ për daljen e Lauson pas pak kthesash. Rinisja “full gas” në xhiron e 3-të nga 19 në total. Pas një gabimi të Piastrit, Rasell përfitoi, më pas sërish ‘Safety Car’ për daljen e Sargeant. Vershtapen mori vendin e 4-t para futjes në bokse. ‘Safety Car’ i 3-të në garë dhe Vershtapen kampion bote për herë të 3-të.

Holandezi i mori vendin e dytë Rësëllit në fillim të xhiros së 16-të dhe u vu në ndjekje të liderit Piastri, por ky i fundit fitoi garën e parë në Formula 1, para kampionit të botës.

Me titullin e fituar sot, Vershtapen ka barazuar dy emra të Formula 1, si Airton Sena dhe Niki Lauda.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë