Gazeta Si – Ishte i pranishëm në testet e Formulës 1 në Bahrein, por edhe Maks Vershtapen nuk u impenjua në pistën e Sakhir. Kampioni i botës me Red Bull-in mezi pret të mbrojë kurorën, aq më tepër pas rinovimit të kontratës me skuderinë anglo-austriake deri në vitin 2028.
“Po përgatitem për fillimin e kampionatit më i relaksuar, sepse fitova atë që doja, – ka thënë piloti holandez. – Ndihem mjaft i motivuar, sepse Formula 1 është jeta ime dhe rinovimi i kontratës më jep stabilitet. Suksesi i arritur është shumë i rëndësishëm, por është e nevojshme që edhe të argëtohem. Kur argëtohesh me njerëzit që punon, si në rastin tim, nuk ke pse të ndryshosh. Ishte një vendim i lehtë”.

Tema kryesore e testeve të ditës së parë në Bahrein kishte të bënte me makinën e re ‘Mercedes W13’, e rinovuar tërësisht në krahasim me versionin që u pa në testet e Montmelò. Vershtapen nuk e ka pëlqyer shumë këtë model dhe e ka thënë hapur: “Çfarë mendoj për Mercedesin? Pashë ngjyrën, është më e shëmtuar se më parë. Nuk e di, nëse makina ka ndryshuar apo jo, nuk i shoh shumë kundërshtarët…”.
Holandezi, i kthjellët si gjithmonë, nuk ka ndryshuar mendim për “Drive to Survive”, serinë Netflix që tregon momentet pas kuintave në F.1. Në tetor kishte thënë se nuk i pëlqen, pasi flet për rivalitet fals mes pilotëve dhe synon vetëm të bëjë sensacion. “Nuk kam ndryshuar mendim. Ai serial u shkatërrua pas sezonit të parë”, – ka thënë sot Vershtapen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




