Motosport

Maks Vershtapen fantastik në Australi, niset i pari në garë. Në krah të tij Sainz

Gazeta Si – Maks Vershtapen niset i pari edhe në garën e Australisë. Një ‘pole position’ rekord për pilotin holandez, që regjistroi kohën 1:15.915. Ai do të zërë vend në rreshtin e parë në pistën e ‘Albert Park’ të Melburnit, ndërsa në krah të tij do të jetë Ferrari i Karlos Sainz.

Në rreshtin e dytë do të jenë të pozicionuara MekLareni i Lando Norris, i ndjekur nga Sharl Leklerk. Francezi, pas dy provave të mira në FP2 dhe FP3, bëri disa gabime në fundin e kualifikueseve, por përfitoi nga penalizimi me tre pozicione i Serxho Perez (shkelje në dëm të Hulkenberg).

Ishte Maks Vershtapeni i zakonshëm, me një paraqitje mbresëlënëse në Melburn. Ai theu rekrodin e tij të mëparshëm. Një provë force për 3 herë kampionin e botës, që pas një fundjave të nisur në malore, regjistroi një kohë fantastike, duke qenë dy të dhjetat para Ferrarit të Sainz.

Dhë nëse nga njëra anë koha e Vershtapen është super, ajo që bëri Sainz në pistë është për t’u lavdëruar. Një hero i vërtetë spanjolli, i rikthyer pas operacionit të dy javëve më parë. Pavarësisht dhimbjeve dhe gjendjes fizike, Sainz shtrëngoi dhëmbët për ta çuar Ferrarin në rreshtin e parë në nisje të garës.

Norris dhe Leklerk në rreshtin e dytë, në të tretin Piastri dhe Perez. Më pas Mercedesi i Rasëll dhe Racing Bulls i Tsunoda, kurse dy makinat Aston Martin të Stroll dhe Alonso mbyllin 10-shen e parë. Është eliminuar në kualifikueset e dyta Ljuis Hemilton, që niset nga vendi i 11-të.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë