Gazeta Si – Me fitoren në Arabinë Saudite, Maks Vershtapen rrumbullakosi shifrën e 100 podeve në Formula 1. Para kampionit në fuqi të botës, këtë shifër e kanë arritur edhe 6 ikona të tjera të automobilizmit: Mikael Shumaker, Ljuis Hemilton, Alen Prost, Sebastian Fetel, Fernando Alonso dhe Kimi Raikonen. Po cili në momentin e podit të 100-të kishte më shumë fitore? Ja klasifikimi i këtyre miteve të F.1.
Kimi Raikonen arriti kuotën e 100 podeve në Monca, në 2018-ën. Në atë kohë, kampioni i fundit me Ferrarin kishte 20 fitore. Në total janë 103 pozicionet e Raikonen në 3-shen e parë gjatë karrierës.
Para Maks Vershtapen, i fundit që kishte hyrë në klubin e 100 podeve në F.1 ishte Fernando Alonso. Spanjolli e ka arritur këtë shifër në Arabinë Saudite, në 2023-shin. Fitoret e Alonsos ishin 32 në atë moment. Në total janë 106 podet e pilotit të Aston Martin.
Për Sebastian Fetel podi numër 100 u shënua në garën e Australisë, në 2018-ën. Ishte një fitore e madhe në timonin e Ferrarit. Në atë kohë ishin 48 fitoret e pilotit gjerman, 4 herë kampion bote. Në fund të karrierës numëron 53 fitore dhe 122 pode.
Alan Prost e kaloi kufirin e 100 podeve në sezonin e fundit të karrierës, në vitin 1993. Piloti francez e regjistroi këtë shifër magjike në garën e shtëpisë, në Magny Cours, dhe në atë kohë kishte 49 fitore. Në total ka 51 fitore dhe 106 pode.
Ljuis Hemilton është piloti aktiv me më shumë pode në F.1, plot 197. ‘Top 3’ numër 100 për anglezin u shënua në garën e Japonisë, në 2016-ën. Ai kishte arritur në atë kohë 49 fitore, ndërsa tani ka 103.
Triumfi në Brazil 2002 bëri që Mikael Shumaker të festonte për një rekord të dyfishtë. Ai arriti 100 pode në F.1 dhe fitoren numër 55. Në fund të karrierës piloti gjerman kishte arritur 155 pode dhe 91 fitore.
Maks Veshtapen është i fundit që hyn në këtë klub të kufizuar me 100 pode. Holandezi është më i riu që ia ka dalë të kapë këtë shifër: 26 vjeç, ndërsa të tjerët kanë qenë të gjithë mbi 30 kur e kanë arritur këtë shifër. Janë 56 fitoret e kampionit në fuqi në momentin e 100 podeve, më shumë se askush tjetër. Rekordi i fundit i këtij ‘kanibali’ sportiv.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.