Policia Rrugore, pas kontrolleve me radarë dhe dronë përgjatë fundjavës, thotë se ka arrestuar në flagrancë 33 drejtues mjetesh, nga të cilët 18 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 15 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Janë pezulluar 176 leje drejtimi, nga këto 111 për shpejtësi tej normave të lejuara, deri në 214 km/h në Bypass-in e Fierit, 60 për drejtim mjeti në efektin e alkoolit dhe 5 për qarkullim në sens të kundërt.
Gjithashtu janë ndëshkuar me masë administrative 4123 drejtues mjetesh, për shkelje që janë rrezik potencial për përfshirje në aksidente rrugore.

Nga Policia Rrugore e Tiranës është goditur edhe një rast i mitëdhënies, ku u arrestua në flagrancë një shtetas, i cili pasi është konstatuar duke drejtuar automjetin, pa vendosur rripin e sigurisë, i ka ofruar një shumë parash shërbimeve policore, me qëllim shmangien e ndëshkimit për shkeljen e kryer.
Ndërkohë, në zbatim të planit të masave për kontrollin e automjeteve që transportojnë shtetas të huaj, me qëllim dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, nga Njësia për Sigurinë e Autostradës Milot-Morinë është kapur në flagrancë një drejtues mjeti që transportonte disa shtetas të huaj, emigrantë nga vendet e treta, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, me destinacion final një nga vendet e BE-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



