Makinat dhe furgonët elektrikë do të jenë më të lirë për t’u prodhuar sesa automjetet konvencionale, me karburant deri në vitin 2027 dhe rregulloret më të rrepta të emetimeve mund t’i vendosin ato në pozicion pol për të dominuar të gjitha shitjet e makinave të reja nga mesi i dekadës së ardhshme.
Deri në vitin 2026, automjetet më të mëdha do të jenë aq të lira për t’u prodhuar sa modelet me benzinë dhe naftë, sipas parashikimeve. Automjetet elektrike që arrijnë barazinë e çmimit me motorin me djegie të brendshme shihet si një moment historik në tranzicionin e botës nga djegia e lëndëve djegëse fosile.
“Çmimi aktual mesatar i shitjes me pakicë të një makine elektrike të mesme është 33,300€, krahasuar me 18,600€ për një makinë benzine”, sipas hulumtimit. Në vitin 2026, të dy parashikohet të kushtojnë rreth 19,000€.
Deri në vitin 2030, e njëjta makinë elektrike parashikohet të kushtojë 16,300€ para taksimit, ndërsa makina me benzinë do të kushtojë 19,900€.
Studimi i ri nga Transport & Environment, një organizatë jofitimprurëse në Bruksel që bën fushata për transport më të pastër në Europë, parashikon që çmimet e reja të baterive do të bien me 58% midis vitit 2020 dhe 2030 në 58 dollarë për kilovat orë.
Një zvogëlim i kostove të baterisë shihet si një hap i rëndësishëm drejt automjeteve plotësisht elektrike.
Shitjet e automjeteve elektrike lulëzuan në vitin 2020, veçanërisht në BE dhe Kinë, por aktivistët mjedisorë u bëjnë thirrje qeverive për të futur rregullore më të ashpra të shkarkimeve për të inkurajuar më shumë konsumatorë të bëjnë ndërrimin.
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka në plan të ndalojë shitjen e automjeteve të reja të karburanteve fosile nga 2030, ndërsa kompanitë europiane i kanë bërë thirrje BE-së që të vendosë 2035 si datën e fundit për shitjen e automjeteve të reja me motor me djegie.
Julia Poliscanova, drejtoresha e T&E tha se duheshin ligje më të rrepta të CO2 për të përshpejtuar kalimin në elektrike.
“Me politikat e duhura, makinat elektrike dhe furgonët me bateri mund të arrijnë 100% të shitjeve deri në vitin 2035 në Europën Perëndimore, Jugore dhe madje edhe Lindore. BE mund të caktojë një datë përfundimi në 2035 me siguri që tregu të jetë gati. Automjetet e reja ndotëse nuk duhet të shiten më gjatë sesa është e nevojshme”, tha ajo.
Kostoja e lartë e baterive, që përbën mes një të katërtën dhe dy të pestat e kostos së një automjeti elektrik, ka çuar më parë në ngurrimin midis prodhuesve më të mëdhenj të makinave në botë për të larguar prodhimin nga modelet e tyre fitimprurëse të karburanteve fosile.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.