Policia ka arrestuar shoferin, i cili ditën e djeshme përplasi për vdekje të miturën 10-vjeçare.
Policia thotë se 49-vjeçari Alban Guri ka qenë nën ndikimin e alkoolit në momentin e ngjarjes. Pasi përplasi 10-vjeçaren, ai u largua nga vendngjarja.
“Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të A. G., 49 vjeç, pasi ditën e djeshme, duke drejtuar mjetin nën ndikimin e alkoolit në masën 0.42 mg/l, ka aksidentuar duke u larguar nga vendngjarja, shtetasen e mitur me iniciale A. P., 10 vjeçe, e cila ndërroi jetë në spital”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën “Njazi Meka” në kryeqytet të dielën e 17 janarit. Siç bëri me dije policia, e mitura u dërgua në spital, por ndërroi jetë aty pasi nuk mundi t’u mbijetonte dot plagëve të rënda.
Ndërkohë, babai i 10-vjeçares në një prononcim për mediat ka rrëfyer momentet e fundit kur ishte ndarë me vajzën e tij.
Iliaz Petali tha se vajza ishte e shoqëruar përdore me gjyshen e saj, ndërsa një makinë kishte kaluar me shpejtësi dhe e kishte përplasur. Babai tha se pas ngjarjes, shoferi i mjetit ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
“Kisha 10 minuta që u ndava me vajzën. Ajo ishte me gjyshen për dore. Shoferi erdhi e përplasi. Aksidenti mund t’i ndodhë çdokujt, por shoferi bëri gabim se ishte me shpejtësi në rrugë lagjeje. E përplasi fëmijën dhe iku. Mund të ketë qenë i pirë po ia lë shtetit në dorë të bëjë drejtësi”, është shprehur ndër të tjera ai.
“Më datë 17.01.2021, rreth orës 12:30, në rrugën “Njazi Meka”, mjeti me drejtues A. G., ka aksidentuar këmbësoren e mitur me iniciale A.P., 10 vjeçe, e cila si pasojë e plagëve të marra, ka ndërruar jetë në spital. Drejtuesi i mjetit është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Nr.4, për veprime të mëtejshme”, do të njoftonte policia ditën e djeshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.