Gazeta Si – Skuderia nga Shtutgarti ka emëruar ish-drejtorin teknik të Ferrarit, që merr vendin e Majk Eliot. Toto Volf beson se skuadra ka marrë tashmë drejtimin e duhur.

Lëvizje e rëndësishme te Mercedesi, që deri tani nuk ka ecur sipas planeve. Xhejms Alison është zgjedhur për rolin e drejtorit teknik të skuadrës, ku zëvendëson Eliot, që e kishte marrë këtë vend pikërisht nga Alison. Këta dy drejtues u shkëmbyen në 2021-shin, por nga gara e radhës në Baku rimarrin pozicionet e mëparshme.
Ndryshimet te Mercedesi duhet të prekin edhe shefin projektues Xhon Ouen. Mercedesi ka vendosur kështu që në sezonin e dytë radhazi jo kompetitiv të veprojë me ndërhyrje në pozicionet kyçe. Për momentin kjo skuadër është e treta në kampionatin e konstruktorëve, pas rivalëve të Red Bull dhe Aston Martin.

Drejtuesi kryesor i Mercedesit, Toto Volf, ka pranuar që në testet para sezonit se situata ishte zhgënjyese. Në faqen e Mercedesit këtë javë ai e shtoi dozën, duke theksuar: “Ka qenë shumë e vështirë, me mënyrën si e kemi zhvilluar makinën shpresonim të zgjidhnim problemet e vitit të kaluar.
Por nuk kemi dalë aty ku duhet. Ky është kompeticioni më i vështirë në botë, nuk do të ishte një sfidë kaq fantastike, nëse do të ishte e lehtë”.
Në Botërorin e 2023-shit Mercedesi ka arritur vetëm një pod me Ljuis Hemilton, i cili doli i dyti në garën e Australisë. “Në këto tri gara është inkurajuese të shohësh që makina shkon më mirë, kemi marrë një drejtim të qartë pozitiv, jemi në rrugën e duhur dhe shpresojmë të bëjmë një tjetër hap përpara në vazhdim. Duhet të besojmë në aftësitë e skuadrës”, – ka shtuar Volf.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



