Motosport

Makina e re MekLaren quhet MCL60, për nder të 60-vjetorit të themelimit

Gazeta Si – Ndryshon emërtimi i makinës së sezonit të ri për skuderinë nga Uoking, që prej 2017-ës ka ndjekur modelin MCL32 në mënyrë progresive. Këtë herë zgjedhja ka të bëjë me përvjetorin jubilar të themelimit.

Botërori i ri i Formula 1 është gjithmonë e më afër. Për skuderitë është koha e prezantimeve. Të hënën e ardhshme është dita e Aston Martin dhe MekLaren. Për këtë të fundit ka një kuriozitet, që lidhet me emrin. Nga 2017-a kjo skuadër ka ndjekur siglën MCL për emërtimin e makinës, duke lënë të mëparshmen MP4, që mbante që prej 1981-shit.

Nga viti 2017 e më pas ka kaluar nga MCL32 deri te MCL36, ndërsa për 2023-shin ky rregull do të thyhet, sepse makina do të quhet MCL60.

Skuderia angleze ka vendosur të festojë kështu 60-vjetorin e themelimit të skuadrës. Kanë kaluar 60 vjet nga koha, kur Brus MekLaren themeloi skuderinë me emrin e tij. Që atëherë MekLaren ka fituar 8 tituj kampionë për konstruktorë dhe 12 tituj kampionë me pilotët.

Emri i ri shoqërohet edhe me një formacion të ri pilotësh, me debutuesin australian Oskar Piastri, i cili do të bashkohet me britanikun Lando Norris, i konfirmuar prej kohësh. Piastri merr vendin e Daniel Riçardos, që do të jetë pilot i tretë te Red Bull-i.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë