Gazeta Si – Eskorta gardës që shoqëronte familjen e gjyqtares së posaçme në GJKKO, Irena Gjoka, është përfshirë mbrëmjen e të premtes në një aksident rrugor në Selitë, Tiranë.
Sipas informacioneve paraprake një punonjës police teksa udhëtonte me automjetin e tij privat me targa zviceriane ka goditur nga pas automjetin e punonjësve të gardës.
Në njoftimin e saj për shtyp, policia e Tiranës raporton: “Më datë 22.12.2023, në Selitë, janë përplasur (vetëm me dëme materiale) automjeti me drejtues shtetasin A.D., me automjetin e Policisë, me drejtues shtetasin I.H. Si pasojë shtetasi I.H., ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe automjeti ka dalë nga rruga. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit”.
Paraprakisht dyshohet se aksidenti ka ndodhur si pasojë e lagështirës dhe shiut.
Por sipas TCH, punonjësit e Gardës së Republikës që shoqëronin familjen e gjyqtares, do pyeten në polici për incidentin.
Paraprakisht ata kanë shpjeguar se shoferi që shkaktoi aksidentin, i cili është prezantuar si polic nga Elbasani, po udhëtonte me shpejtësi të lartë.
Gjithashtu janë kërkuar kamerat për të parë çfarë rregullash ka shkelur shkaktari i aksidentit, pasi njëri nga gardistët ka thënë “që udhëtoi pas nesh që në Rinas, e deri në Selitë”, ku ndodhi aksidenti.
Në Rinas, Garda e Republikës, thuhet nga Policia Kufitare se priti djalin e gjyqtares Irena Gjoka, e cila prej ditësh është nën ruajtje dhe mbrojtje.
“I bëmë me shenjë që të mos futej në grupin e eskortës”, – shpjegon njëri prej tyre, “por ishte e pamundur”.
Këto manovra kanë zgjatur pak çaste përpara se të ndodhë aksidenti. Në makinën e familjes së gjyqtares gjendej edhe djali i gjyqtares Irena Gjoka thonë burime pranë Gardës së Republikës sipas TCH, që po kryejnë analizë të thelluar për aksidentin.
I.H., është punonjës i Policisë Rrugore në Elbasan, ndërsa mësohet se në momentin e aksidentit po udhëtonte me një makinë private me targa zviceriane dhe jo me mjetin e policisë.
Paraprakisht vendi i ngjarjes krijon bindje të plotë që është aksident automobilistik, por për shkak se krye gjyqtarja po ruhet familjarisht prej gardës së republikës, do kryhet hetim shterues.
Gjykatësja Irena Gjoka, në vendimin e 20 tetorit, caktoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe “arrest me burg” për dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezin, për dosjen hetimore të privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Prej ditësh Garda e Republikës ka shtuar truprojat për ruajtjen e gjyqtares Irena Gjoka për shkak të dosjeve antikorrupsion që ka pasur në shqyrtim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




