Ka ndodhur

Makina bie në përrua në Klos, arrestohet shoferi i dehur, zhduket pasagjeri. Policia: Nuk e ndihmoi

Gazeta Si – Një automjet me dy persona ka përfunduar në një përrua në fshatin Fullqet në zonën e Klosit gjatë orëve të para pas mesnatës së kësaj të shtune, ku sipas policisë drejtuesi ka qenë në gjendje të dehur.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:30, në vendin e quajtur ura e fshatit Dars, njësia administrative Klos, ku një mjet tip “Audi”, me targa angleze, ka dalë nga rruga dhe ka rënë në përroin e fshatit Dars.

Sipas njoftimit të policisë, në automjet kanë qenë dy të rinj. Mësohet se drejtuesi i automjetit, një 24-vjeçar me iniciale A.L., ka arritur të dalë nga makina dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Por pasagjeri me iniciale J.K., 30 vjeç, banues në fshatin Fullqet ka rënë në lumë dhe ende nuk është gjetur, pasi dyshohet se e ka marrë rrjedha e përroit.

Gjatë veprimeve për zbardhjen e aksidentit, policia njofton se kapi dhe arrestoi 24-vjeçarin, i cili dyshohet se pas shkaktimit të aksidentit është larguar nga vendngjarja.

I rius iu nënshtrua testit të alkoolit, nga i cili rezultoi se e drejtonte mjetin në gjendje të dehur. Ndërkohë, polumbarët e RENEA-s, shërbimet e Policisë dhe zjarrfikësit vijojnë kërkimet në përroin e fshatit Dars për gjetjen e pasagjerit, shtetasit J. K.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë