Politike

Majori i vënë nën hetim në Holandë, Bardhi: Paradite i shërbente NATO-s, pasdite shtëpisë së barit! SHIU dështoi

Projektligji për disa ndryshime në ligjin për “Policinë Ushtarake”, ku  zonat ushtarake nuk do të mbrohen më nga policia ushtarake, por do të kenë vetëm mbikqyrje, është kundërshtuar nga opozita gjatë shqyrtimit në Komisionin e Ligjeve.  

“Siç është bërë tashmë e udhës edhe ky është ligj me interesa korruptive. Është një ligj që vetëm interes publik nuk ka. Është ligj i varfër në terminologji. Është ligj me 15 nene, që gjithë atë që e kam thënë, që ju në 15 nene, vetëm një nen ju intereson, pra neni 10. Të tjerat janë zbukurime. Ka theks të fortë korruptiv. Neni 10, shkronja A, ndryshon ‘mbron pronën shtetërore policia ushtarake’ në ‘mbështet pronën shtetërore’. Nuk duhet të kaloj në komisionin e ligjeve. Kush i mbron tanimë pronat ushtarake, nëse nuk e bën policia ushtarake? Në shkronjën k, pas fjalëve “në mbrojtje të personaliteteve ushtarake”, dhe ato civile. Pse u dashka ministri të mbrohet me ligj të veçantë?”, tha Çupi.

Ndërsa deputeti tjetër i PD-së, Gazment Bardhi iu referua rastit të majorit të vënë nën hetim në Holandë.

“Një oficer i ushtrisë shqiptare që është atashuar pranë operacionit të NATO në Holandë, që veç detyrës së tij si ushtarak, pasi mbaronte punën e hiqte veshjen ushtarake ishte angazhuar në trafikim të lëndëve narkotike. Pra kemi çuar në bazë të lartë të NATO, një ushtarak të lartë, të arrestuar në Holandë për trafik droge. Ka patur një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes, që në fakt nuk sqaronte asgjë, vetëm se i kishte bërë thirrje ushtarakut të kthehet në atdhe. Ishte administrator ai i shtëpisë së barit në Holandë. Dua të di cilat ishin veprimet e policisë ushtarake? A ka patur Ministria informacion mbi veprimtarinë kriminale të ushtarakut? Çfarë veprimesh ka kryer SHIU, a keni informacione për zyrtarë të tjerë të përfshirë në veprimtari të tillë? Si apo sa ndikon kjo”

“Do ndiqen hapat ligjor. Përgjegjësia individuale”, reagoi Dallëndyshe Bici.

“Në fakt nuk është përgjegjësi personale por dështim i Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shërbimit Informativ Ushtarak se për këtë paguhen këta dhe këtë të përgjegjësisë personale lërjani dikujt tjetër. E mbani mend atë rastin kur ushtaraku në detyrë transportonte drogë me helikopterin e ushtrisë dhe u zbulua kur iu prish helikopteri. Ministria duhet të kryejë hetime pro aktive që të mos çojmë këta ushtarakë që ruajnë shtëpi bari në bazat e NATO-s. Ka dështuar Ministri i Mbrojtjes, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, policia ushtarake dhe Shërbimi Informativ i Ushtrisë”, shtoi Bardhi.

Deputeti i PD-së i referohej rastit të publikuar ku Majori Ermal Dinoshi me detyrë specialist stërvitje, është vënë në hetim nga autoritetet holandeze pasi dyshohet se në bashkëpunim me disa persona të tjerë kanë ngritur shtëpi bari.

Ushtaraku shqiptar ka qenë i përzgjedhur për të qenë pjesë e një misioni bashkëpunimi me ushtrinë e Holandës, në kuadër të NATO-s.

Ministria e Mbrojtjes ka reaguar duke thene se majori është pezulluar dhe i është kërkuar kthimi në Atdhe.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë