Ministri për Diasporën, Pandeli Majko, ka replikuar gjatë një interpelance të kërkuar me të nga një grup deputetësh të opozitës.
Gjatë fjalës, Majko ka dhënë disa “leksione” për mënyrën se si duhet të kërkojnë informacionin e duhur, por ka nënvizuar edhe arsyet se pse njerëzit po emigrojnë.
“Unë kam qenë i gatshëm të marr pjesë në çdo mbledhje komisioni kur ka qenë i ftuar për çdo lloj ligji apo informacioni.
Besoj që është rast i veçantë që sidomos për reformën e politikës shtetërore në diasporë unë e kam informuar parlamentin dhe Kuvendin si asnjë ministër tjetër me informacione të rregullta tre mujore dhe duke ardhur në fund të çdo viti duke raportuar në mënyrë të plotë.
Cilido deputet jo vetëm parafolësi ka të drejtë të kërkojë informacion të besueshëm sepse interpelanca e sotme ishte e mbushur plot me dizinformacion duke filluar me një fakt shumë i thjeshtë.
Ç’keni bërë me tenderat e diasporës? O zotëri shko interesohu në Ministrinë e Financave, sa është buxheti i shtetit për Ministrinë e Diasporës?
E do të thonë që ministrat e shtetit nuk kanë buxhet, por vjen këtu e fut të holla e të trasha. Hap legjislacionin dhe shiko gjërat si funksionojnë, por vini thoni disa gjëra në përgjithësi patetike dhe shmangeni nga ajo që duhej diskutuar në këtë interpelancë, e drejta votës për shtetasit jashtë vendit”, tha ai. Majko tha gjithashtu se njerëzit po largohen për arsye ekonomike dhe jo vetëm.
“Çështja e emigracionit është një histori e cila nuk ka të bëjë vetëm me Shqipërinë, por nëse ka një arsye pse njerëzit po largohen përveç ekonomisë, janë budallallëqet që prodhohen nga politika, siç ndodhi sot në këtë interpelancë”, tha Majko.
Ministri u shpreh ndër të tjera se realizimi i të drejtës së votës për emigrantët është detyrim ligjor dhe kushtetues, ndërsa mazhoranca ka vullnetin e plotë për ta realizuar këtë.
Majko theksoi se KQZ duhet që të marrë vendim përfundimtar për votimin e shqiptarëve, që jetojnë jashtë vendit.
“Votimi nga jashtë vendit administrohet nga KQZ. KQZ duhet të marrë vendimin për votimin e shqiptarëve që jetojnë jashtë shtetit”, tha Majko.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.